Një grup i eurodeputetëve, të cilët gjithashtu janë raportues dhe kryetar të delegacioneve në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dërguar letër të hapur për shefat e shteteve të BE-së, prej të cilëve kërkojnë që në mbledhjen e Këshillit të Evropës më 28 dhe 29 qershor të merren “vendime të guximshme” për nisjen e negociatave për intgerimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Tanja Fajon, Knut Fleckenstein, Eduard Kukan, Monica Macovei, David Martin, Alojz Pedelle, Tonino Picula, Cristian Dan Preda, Igor Soltes, Charles Tannock, dhe Ivo Vajgl në letër theks të veçantë i japin marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, e cila siç thonë ka hapur perspektivë për Evropën, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ata u bëjnë thirrje udhëheqësve evropianë që të demonstrojnë përkushtimin e tyre të qartë ndaj perspektivës evropiane për gjithë rajonin, duke rënë dakord të hapin negociatat e pranimit me Shkupin dhe Tiranën në Këshillin e ardhshëm evropian më 28 dhe 29 qershor, në negociatat e vazhdueshme të pranimit me Malin e Zi dhe Serbinë të hapen kapituj të rinj, të miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën dhe të shpërblehen përpjekjet për reforma të Bosnjës dhe Hercegovinës, varësisht nga rezultati dhe pasojat e zgjedhjeve të 7 tetorit.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian, në sundimin e ligjit, demokracinë liberale, drejtësinë sociale dhe energjitë inovative të një shoqërie të hapur. Bisedimet e thella dhe ambicioze në rrugën e anëtarësimit në BE ofrojnë garancinë më të fortë të mundshme që qytetarët e gjashtë vendeve në këtë të ardhme jo shumë të largët, të gëzojnë këto përfitime. Evropa nuk duhet të zhgënjejë”, thonë europdeputetët në letrën e hapur drejtuar liderëve të BE-së./Telegrafi/