Telegrafi

Eurodeputetët grekë “çojnë” Himarën në KE: Rama, sulm ndaj Athinës

Dy eurodeputetë grekë kanë dorëzuar pranë Komisionit Evropian një amendament, ku kërkonin mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri. Ata kanë hedhur akuza ndaj qeverisë shqiptare, duke thënë se po dëmton raportet me Athinën.

Një deputete greke ka thënë në KE se 19 familje minoritare janë shprehur se shtëpitë e tyre janë duke u shembur. “Janë 19 familje minoritare në Himarë që më kanë thënë se shtëpitë e tyre do të shemben. A është Shqipëria duke mbrojtur të drejtat e minoritarëve? Kjo është shkelje serioze e të drejtave të njeriut. Dua të di se çfarë masash kanë për tu marrë për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve në Shqipëri”, tha ajo.

Ndërkaq, deputeti grek në KE ka thënë se Shqipëria duhet të kishte bërë gjithçka është e mundur që të mbante raporte të mira me Greqinë, por se në fakt ka bërë gjithçka për të keqësuar raportet me Athinën zyrtare. “Shqipëria nuk ka respektuar kriteret e Kopenhagës për çështjen e minoritetit. Shqipëria duhet të kishte bërë gjithçka që ishte e mundur për të rregulluar raportet me shtetin grek, por se në fakt është duke bërë gjithçka për të shkatërruar këto raporte”, ka thënë deputeti.

Komisioneri Hahn ndërkaq është shprehur për këtë çështje se çdo shtet ka ligjet e veta. Hahn shtoi se çdo vend i Evropës duhet të respektojë të drejtat e minoriteteve dhe se edhe Shqipëria duhet ta bëjë këtë gjë.