Site icon Telegrafi

EULEX-i nis hetimet për Trupat Inspektuese – për cilësinë e naftës

Kanë nisur hetimet nga EULEX-i, ndaj trupave inspektuese ne Kosovë. Mësohet se kjo po bëhet pikërisht për lëshimet që kanë ndodhur në inspektimin e cilësisë së karburanteve të naftës, kanë filluar edhe hetimet.

Gjatë javës së kaluar misioni për sundim dhe Ligj, EULEX, ka thirr për dëshmitarë edhe pronarët e kompanive importuese më të mëdha që veprojnë në Kosovë.

Nga EULEX nuk kanë dashur të flasin në lidhje me këto hetime, por nga Dogana e Kosovës, zyrtarisht e ka konfirmuar se ky mision ka kërkuar informatë mbi dokumentet të cilat lëshojnë trupat inspektuese.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për gazetën “Zëri” se në fillimi të vitit 2014 hetuesit e EULEX kanë kërkuar informatë mbi dokumentet të cilat lëshojnë trupat inspektuese.

“Dogana iu ka ofruar qasje në arkiv. Ky hetim nuk ka pasur oficer doganor të involvuar pasi që kualiteti i naftës nuk është kompetence e doganës”, ka sqaruar ai.

Trupat Inspektuese akreditohen për vlerësim të Konformitetit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe janë të autorizuara të Inspektojnë cilësinë dhe sasinë e karburanteve të lëngëta të naftës dhe inspektimin e cilësisë së gazrave të lëngëzuar të naftës.

Në lidhje me këto hetime ka folur edhe Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovës. Ai ka thënë se ky mision në këtë rast duhet të hetoj edhe ish ministrat e MTI-së.

Berjani ka thënë se Shoqata e Naftëtarëve tash e disa vite ka kërkuar që këto trupa të largohen pasi nuk ka bazë ligjore që ato të veprojnë.

“Kërkesa e Shoqatës ka qenë qysh në kohën e ministres, Mimoza Kusari Lila, ministrit Bernard Nikaj, dhe ministrit Ismet Mulaj, tani së fundmi edhe të ministrja Hykmete Bajram, që këto trupa të largohen”, ka shtuar Berjani.

Ai ka thënë se për 22 muaj rresht në kohë sa ka qenë ministre Kusari Lila, ka pasur monopol në këtë fushë.

“Ka operuar për këtë periudhë vetëm “Saybolt Pan Adriatika”, dhe kemi qenë të detyruar që shërbimet ti kryejmë vetëm tek kjo trupë”, ka shtuar Berjani.

Ai ka vazhduar duke thënë se këto trupa në vazhdimësi kanë lëshuar certifikata të konformitetit fallso.

Këto trupa i kryejnë procedurat e akreditimit duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 07 -2012 për cilësinë e derivateve të lënga të naftës që është në fuqi.

Në bazë të këtij udhëzimi administrativ, trupat inspektuese zbatojnë tri procedura: së pari kryhet procedura e njohjes dhe pranimit të dokumenteve të huaja (certifikatave apo raporteve), të lëshuara nga trupat për vlerësimin e konformitetit të akredituar nga vendi që importohet karburanti i naftës.

Kjo procedurë kryhet në pikat doganore, përkatësisht në terminalet doganore.

Në rastin e cekur, inspektorët e këtyre trupave, bëjnë verifikimin e vërtetësisë së këtyre dokumenteve dhe në qoftë se dëshmohet se këto dokumente janë konform me kërkesat e cilësisë së përcaktuar në udhëzimin administrativ, atëherë lejohet importimi i karburanteve të naftës.

Por, në qoftë se dyshohet në vërtetësinë e këtyre dokumenteve, përkatësisht cilësia e karburanteve nuk është konform udhëzimit të cekur, atëherë zbatohet procedura e dytë – merren mostrat për testim në laboratorët e akredituar testues për të verifikuar cilësinë e karburantit.

Nëse rezultatet testimit nuk janë konform me kërkesat e cilësisë, atëherë këtij karburanti nuk lejohet të importohet.

Exit mobile version