Telegrafi

EULEX dhe Policia e Kosovës të koordinuar për sigurinë në vend

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka takuar Fehmi Hotin, u.d., i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe drejtorin për Operacione të PK-së, Gazmend Hoxha.

Këtë e ka bërë të ditur Wigemark përmes një shkrimi në Twitter.

Ai ka thënë se gjatë takimit është biseduar për t’i koordinuar rolet përkatëse për sigurinë në Kosovë.

“Jam i kënaqur që takova ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, si dhe drejtorin për Operacione të PK-së, Gazmend Hoxha, të EULEXKosovo. Shtabi në Prishtinë, për të koordinuar rolet tona përkatëse të përgjigjes së sigurisë në Kosovë”, ka shkruar Wigemark.

Ndërkaq, pas situatës në veri të Mitrovicës, misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX  është përforcuar me trupa shtesë.

Javën e kalaur, EULEX, ka bërë të ditur se një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të EULEX-it.

Sipas njoftimit thuhet se NJPSR u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme./Telegrafi/