Site icon Telegrafi

EU vs Disinfo tregon shtatë lajmet dezinformuese të Rusisë rreth situatës në Ukrainë

Nga aneksimi i paligjshëm i gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe agresionin e saj të vazhdueshëm ushtarak kundër Ukrainës, Rusia ka zhvilluar një fushatë të dezinformimit të drejtuar nga vetë shteti, që ka për synim të ndikoj në opinion publik.

Të mbështetur nga mediat e kontrolluara nga Kremlini, autoritetet ruse nuk kanë kursyer për të denigruar dhe portretizuar atë si kërcënim për sigurinë botërore, duke sulmuar komunitetin ndërkombëtar.

Fushata ruse e dezinfomimit ka për synim Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veri-Atlantike (NATO) për t’i portretizuar si kërcënuse të “legjitimitetit të sigurisë” së Rusisë.

Pozicionimi i fundit ushtarak, duke filluar në pranverën e vitit 2021, në kufirin ukrainas dhe në gadishullin e Krimesë, vetëm sa e ka intensifikuar fushatën ruse të dezinformimit.

Platforma EU vs Disinfo ka bërë një zbërthim të kësaj propagande, e cila përcjellët kryesisht përmes medieve ruse.

Dezinformata I: Tensionet aktuale janë rezultat i sjelljes së vazhdueshme agresive të Ukrainës dhe aleatëve të saj në Perëndim, Rusia nuk po bën gjë tjetër veçse mbron interesat e saj legjitime dhe nuk është përgjegjëse për këtë konflikt

Fakti është se Rusia vazhdon të shkelë ligjin ndërkombëtar, si dhe marrëveshjet e tjera për të cilat është zotuar t’i zbatoj. Duke aneksuar ilegalisht gadishullin e Krimesë dhe duke kryer akte agresioni kundër Ukrainës, Rusia, një nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka shkelur të paktën 12 traktate ndërkombëtare.

Veprimet e Rusisë që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, veçanërisht në Donbas, janë të paligjshme. Ata vazhdojnë të kërcënojnë rendin evropian të sigurisë në thelb të tij dhe të vënë në rrezik rendin ndërkombëtar.

Për sa i përket viktimave, Ukraina ka pësuar humbje të rënda në konfliktin e vazhdueshëm me Rusinë. Agresioni rus ka vrarë rreth 14 mijë ukrainas dhe ka plagosur shumë të tjerë. Konflikti gjithashtu ka zhvendosur më shumë se 1.5 milion banorë nga gadishulli i Krimesë dhe në Ukrainën lindore.

Lexo po ashtu Bildt publikon pamjet e mobilizimit masiv të forcave ruse në drejtim të Ukrainës: Evropa nuk ka parë diçka të tillë për dekada

Dezinformata II: Situata në Ukrainë shkaktoi këtë konflikt – ka prova se Ukraina po kryen akte kundër popullsisë së saj rusisht-folëse, Rusia duhet të ndërhyjë

Akuzat se Ukraina po sulmon territorin e saj dhe po persekuton qytetarët e saj janë absurde. Për të nxitur mbështetjen e brendshme për agresionin ushtarak të Rusisë, mediat të kontrolluara nga Kremlinii kanë kërkuar, pa u lodhur, të shajnë Ukrainën, duke e akuzuar atë për gjenocid në lindje të vendit, duke tërhequr paralele absurde me nazizmin, Luftën e Dytë Botërore dhe fabrikimin e historive që synojnë të krijojnë një narrativ negativ emocional me audiencën.

Ka shumë raste të sajuara, të ilustruara më së miri nga shembulli i famshëm i një raporti televiziv rus që akuzonte forcat ukrainase për kryqëzimin e një djali të ri në lindje të Ukrainës, në fillim të konfliktit. Gazetarët hulumtues vepruan shpejtë për të vërtetuar se ngjarja ishte tërësisht e fabrikuar. Histori të ngjashme vazhdojnë të prodhohen nga ana e rusëve.

Dezinformata III: Në çdo rast, Ukraina duhet t’i drejtohet Rusisë sepse BE-ja dhe Perëndimi nuk janë të interesuar për vendin dhe e kanë braktisur atë

BE-ja ka një partneritet strategjik me Ukrainën. Në fakt, vendi është bërë në një nga partnerët më të afërt të BE-së, duke filluar nga Marrëveshja e Asociimit dhe Zona e Lirë Tregtare. BE-ja mbështet një gamë të gjerë të projekteve në Ukrainë në kuadrin e Partneritetit Lindor të BE-së. Që nga viti 2014, BE-ja i ka dhënë Ukrainës mbi 17 miliardë euro kredi dhe grante.

BE-ja ka mbështetur fuqishëm sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe ka vendosur sanksione kundër Rusisë për destabilizimin e qëllimshëm të Ukrainës.

Dezinformata IV: Fajtorë të krizës aktuale janë NATO dhe Perëndimit, nëse do të kishin respektuar premtimin e tyre për të mos zgjeruar aleancën sot Rusia nuk do të ndihej e kërcënuar

Një premtim i tillë asnjëherë nuk është bërë dhe as nuk është kërkuar nga NATO. Mediet ruse të afërta me Kremlinin shpesh kanë pohuar se liderit sovjetik Mikhail Gorbachev i është premtuar “gojarisht” se NATO-ja nuk do të zgjerohej përtej Gjermanisë së ribashkuar.

Në fakt, vetë Gorbachev e kishte mohuar këtë pretendim, duke thënë se “tema e ‘zgjerimit të NATO-s’ nuk është diskutuar asnjëherë. Këtë e them me përgjegjësi të plotë. Asnjë vend i Evropës Lindore nuk e ngriti këtë çështje, madje as pasi Traktati i Varshavës kur pushoi së ekzistuari në vitin 1991”.

Këto të ashtuquajtura marrëveshje verbale janë një trillim. Anëtarët e NATO-s nuk morën kurrë ndonjë angazhim politik ose ligjërisht të detyrueshëm për të mos e shtrirë aleancën përtej kufijve të Gjermanisë së ribashkuar.

Lexo po ashtu Vjen reagimi i Ukrainës zyrtare, pasi SHBA urdhëroi familjet e stafit të ambasadës të largohen nga ky vend

Dezinformata V: Për shkak të zgjerimit agresiv të NATO-s, Rusia tani është ‘e rrethuar nga armiqtë’ dhe duhet të mbrohet

Asnjë vend apo aleancë nuk po planifikon të pushtojë Rusinë. Askush nuk po e kërcënon Rusinë. Në fakt, BE-ja dhe Ukraina janë mbështetës të vendosur të rendit dhe sigurisë. Është absurde të portretizosh Rusinë si një vend nën një kërcënim të tillë. Nga 14 vendet që kufizohen me Rusinë, vetëm pesë janë anëtare të NATO-s.

Nuk ka gjithashtu asnjë argument që do të sugjeronte se ndërhyrja ushtarake është zgjidhja e vetme. Ekzistojnë disa organizata ndërkombëtare, marrëveshje dypalëshe dhe formate ku Rusia mund të përfshihet në dialog. BE-ja i mban të hapura kanalet e komunikimit me Rusinë si një pjesë e integruar e politikës së BE-së.

Si një vend sovran, Ukraina ka çdo të drejtë të zgjedhë politikat dhe aleancat e saj. Nocioni se Rusia duhet të ketë të drejtën e vetos mbi vendimet sovrane të Ukrainës është i pabazë. Në këtë drejtim, as BE-ja dhe as NATO-ja nuk pretendojnë të kenë të drejtën e vetos se cilat shtete mund të jenë anëtare të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO).

Dezinformata VI: Në çdo rast, Rusia nuk është përgjegjëse për tensionet aktuale në Ukrainë, kjo ka shkelur qëllimisht marrëveshjet e Minskut dhe se Perëndimi po armatos Ukrainën

Në fakt, është Rusia ajo që ka grumbulluar 140 mijë trupa dhe pajisje në kufijtë e Ukrainës, përfshirë gadishullin e Krimesë.

Rusia është palë në marrëveshjet e Minskut dhe këto janë dokumentet më të fundit formale në të cilat Rusia ka afirmuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

Pala ruse dhe përfaqësuesit e saj kanë dështuar të zbatojnë një armëpushim duke tërhequr të gjitha armët e rënda, të zbatojnë marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve politikë ose të sigurojnë dhënien e ndihmës humanitare bazuar në mekanizmat ndërkombëtar. Përkundrazi, Rusia ka forcuar formacionet ilegale të armatosura në lindje të Ukrainës.

Pa zbatimin e plotë të armëpushimit, tërheqjen e armëve të rënda si dhe lejen për hyrje të plotë në të gjitha territoret për misionin monitorues të OSBE-së, është e vështirë të diskutohet zbatimi i pjesëve politike të marrëveshjes së Minskut.

Lexo po ashtu Kush është Yevhen Murayev, politikani që Rusia dëshiron që ta udhëheqë Ukrainën?

Dezinformata VII: BE-ja në çdo rast është e dobët dhe e parëndësishme – pse të shqetësoheni për të diskutuar me të?

Establishmenti politik rus ka punuar shumë për të bindur botën se BE-ja është e dobët dhe se nuk ka interes në avancimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Zyrtarë dhe medie shtetërore ruse e portretizojnë në mënyrë rutinore BE-në si të parëndësishme dhe të paaftë për të trajtuar krizat, qoftë konflikti Rusi-Ukrainë apo ndonjë çështje tjetër ndërkombëtare.

Fakti që Evropa ka gëzuar paqen që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore është dëshmi e mjaftueshme për të hedhur poshtë këtë pretendim. BE-ja, në koordinim me OKB-në, NATO-n, OSBE-në, Këshillin e Evropës, anëtarët e G7-së dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, ka dhënë kontribute të prekshme për paqen dhe sigurinë, përfshirë Ukrainën.

BE-ja gjithashtu është zona më e madhe ekonomike në botë dhe partneri më i madh tregtar i Ukrainës. Marrëveshja e Asociimit ndërmjet BE-së dhe Ukrainës e afron këtë të fundit në mbështetjen e reformave, duke hapur tregun e përbashkët, duke harmonizuar ligjet, standardet dhe rregulloret në sektorë të ndryshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version