Site icon Telegrafi

Etrit Berisha ndihet optimist para ndeshjes me Andorrën

Portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Etrit Berisha kanë dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për mediat, në prag të ndeshjes së parë eliminatore që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Andorrës, e të vlefshme për Kampionatin Botëror Katar 2022.

Kapiteni Berisha u shpreh optimist për ndeshjen, teksa theksoi se duhet ta nisin mbarë dhe nuk duhet ta nënvlerësojnë Andorrën.

“Kemi bërë një detyrë të mirë në kualifikimet e kaluara dhe duhet të nisemi nga ai moment. Në ndeshjet e fundit kemi treguar futboll të mirë, duke marrë fitore. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Pastaj, jemi në ndeshjen e nesërme, që duhet të përgatitemi jashtëzakonisht mirë dhe nuk duhet të lejohet asnjë lloj surprize”, ka thënë fillimisht Berisha në konferencë.

Lexo po ashtu Edy Reja flet për ndeshjen me Andorrën, formacionin dhe shumëçka tjetër

“Trajneri na ka treguar ato gabimet që i kemi bërë në atë ndeshje. Nuk kemi qenë të përqendruar në atë ndeshje, duke bërë gabime që kanë qenë edhe të evitueshme dhe duke futur edhe veten në vështirësi. Kjo nuk na lejohet nesër, pasi është ndeshja e parë dhe duhet të kemi përqendrim maksimal. Kjo ndeshje na jep motivim dhe qetësi për të përballuar ndeshjet e ardhshme”.

“Morali do të jetë më i lartë, duke marrë parasysh se do të luajmë me ekipe edhe më të mira dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe. Kemi cilësi në ekip, duhet të rritemi, duhet të përmirësojmë ende disa gjëra. Vullneti është shumë i madh dhe do mundohemi të bëjmë surpriza për të mirë, siç kemi bërë shumë herë”.

“Është një ndeshje e rëndësishme për ne, e njohim kundërshtarin, duke pasur parasysh se kemi luajtur edhe në kualifikueset e kaluara. Por kjo do jetë ndeshje tjetër”, përfundoi portieri prishtinas.

Exit mobile version