Nga: Visar Zhiti
U bënë 60 vjet nga vdekja e mistershme e shkrimtarit tonë klasik, Et’hem Haxhiademi, që krijoi letërsi moderne në vitet ‘30 të shekullit XX, solli poezi dhe tragjedinë e epërme në letrat shqipe në nivel evropian, por ashtu ishte fati, historia … vonë ishte e gjithë Shqipëria jonë.
Shkroi shtatë tragjedi të shkëlqyera, e teta është e pashkruar; është ajo që ndodhi me atë, me jetën dhe veprën e tij; ia ndaloi diktatura e pasluftës së Dytë Botërore, që i futi letrat shqipe në morsin e torturës së realizmit socialist, dhe ashtu siç vrau e burgosi shumë shkrimtarë e artistë, Et’hem Haxhiademin e vrau në burg. Bashkë me atë vdiqën dhe ato që do të mund të shkruheshin prej dorës së tij të mermerët, hyjnore. Edhe kjo është tjetër tragjedi.
Lexo po ashtu:
– Skënderbeu i tragjedisë së Haxhiademit: Një tjetër pavdekësi, por e plagosur
– “Populli partizan” që kërkonte arrestimin e dramaturgut Et’hem Haxhiademi
– “I parilemi” në tragjedinë “Abeli” të Et’hem Haxhiademit: Vëllavrasës prej fatit apo prej fajit?
– Nismat e socrealizmit asgjësues në Shqipëri: Shkrimtarët e pushkës kundër shkrimtarëve të mendjes
Kaluan 60 vjet kur ajo portë burgu nuk u hap dot dhe ai nuk doli prej andej as i vdekur. Tashmë perandoria komuniste ka rënë. Shqipëria dhe letrat e saj iu hapën, bashkuan botës euroatlantike dhe kulturës perëndimore.
Emri Et’hem Haxhiademi e shkundi pluhurin mortor të harresës. Për tragjeditë e tij, vlerën e tyre të patjetërsueshme na lajmëruan studiues të shquar të epokës së lirisë së fjalës, si Aurel Plasari; vepra u ringjall, erdhi sërish e plotë dhe bukur nga enti botues “Poeteka” dhe po shkruanim në nderim të korifeut klasik – shpesh dhe me adhurim.
Po ku është varri i tragjedianit Et’hem Haxhiademi, statujat, rrugët me emrin e tij, bibliotekat, teatrot? Skenat me heronjtë e tij, katedrat, tekstet akademike dhe universitare me studimet e veprës së tij madhore? Apo kanë mbetur të zëna siç i la realizmi socialist, dhe muzeumet do të jenë veç dëshmi e diktaturës, si BunkArt 1 e 2 apo Shtëpi me Gjethe të Sigurimit të shtetit dhe të përzgjedhurish?
Por, është dhe institucioni kombëtar i kujtesës tjetër, makineritë e së cilës punojnë të sigurta dhe me madhështi të pazhurmët.
Sot dua të nderojmë shkrimtarin Et’hem Haxhiademi, poet klasik dhe tragjediani i vetëm i epërm i letrave shqipe.
Në librin studimor Kartela të realizmit të dënuar për letërsinë shqipe, që erdhi nga burgjet dhe internimet apo arratia nëpër botë, është dhe kartela e dhimbshme me emrin Et’hem Haxhiademi, ndërsa në Antologjinë e të vrarëve me titull Lajmëtarët e Europës, ku kam përmbledhur poetë dhe shkrimtarë të pushkatuar nga regjimi i ashpër diktatorial ose që vdiqën burgjeve – pushkatim i ngadaltë ishte dhe ky dhe nuk besoj se ka një popull tjetër një antologji të tillë gjaku – janë dhe fletët drithëruese për martirin Et’hem Haxhiademi. Po i risjell. Fëshfërijnë apo psherëtijnë?
Kartela tragjike: Et’hem Haxhiademi – dënohet me vdekje, pastaj ia kthejnë me burg … Pak ditë para lirimit, atak në zemër, kështu thanë … vdiq. Por, do të ketë qenë sulm në zemër, vrasje …Ishte viti 1965. Shqipëria ishte ndarë tashmë nga Bashkimi Sovjetik, kjo ishte drama e madhe, çarja botërore – këtë duhej të pasqyronte letërsia, porosiste Partia dhe kishte filluar miqësinë me Kinën e madhe. Ja temat e realizmit socialist, hepi-endi i saj rozë.
Ç’qe shkruar më parë s’vlente më, sidomos ato para çlirimit u dukeshin myk … Pa le tragjeditë e harruara të Et’hem Haxhiademit, të largëta dhe të huaja, madje të dëmshme.
Et’hem Haxhiademi? Në burg … nuk duhej të dilte prej andej, madje ai s’duhej të ishte fare, të ndjehet i paqenë … Ai dhe shokët e tij … Kot e falën, kur e dënuan me vdekje … Po vdekje është dhe burgu. Po ja që i erdhi dita e lirimit, kaluan 18 vjet …
Po s’ka për të dalë, jo. Në një nga tragjeditë e tij ai e kishte profetizuar rrënimin.
“Kam le n’Elbasan më 8 mars 1902”, tregon për vete ai. “Im at Emin Haxhiademi, aktiviteti patriotik i të cilit fillon qysh mbë 1877, domethënë përpara Kongresit të Prizrenit, njihet si bashkpuntor i ngushtë i Kristoforidhit dhe i dyti patriot mbas atij në vjetërsi në këtë qytet”.
Babai i mësoi shqipen e i jepte libra shqip, të ndaluara që mezi gjendeshin, se vendi ishte ende në Perandorinë Osmane. Kishin një odë plot me libra. “Të varfër ishin librat shqip, por mua më pasuruan”, vazhdon tregimin ai.
E magjepsi drama Besa e Sami Frashërit. Ndërkaq, babai e kishte futur të mbaronte Normalen e Elbasanit, themelues i së cilës kishte qenë dhe vetë. 14 vjeç vendos të shkruajë edhe ai një dramë ashtu. Mbyllet në shtëpi, nuk shkon as në shkollë. Eh, digje, i thotë i ati buzagaz, por jo dëshirën për të shkruar.
E çojnë në Leçe në Itali, por provimet u bënë shumë të vështira për shqiptarët atje, se kishte ndodhur Lufta e Vlorës e 1920-ës: italianët ishin mundur, ishin hedhur në det, thoshte populli.
Et’hem Haxhiademi ishte i vetmi sfidues. Madje iu fut përkthimit të Bukolikeve të Virgjilit, mësoi latinishten dhe e dha në hekzametër në shqip, siç nuk e kishin bërë as shkrimtarë të njohur – madje asgjë nuk kishin sjellë më parë nga veprat latinisht. Dhe, iku në Austri për t’u diplomuar atje. Nisi të lexojë tragjedianët grekë në latinisht dhe gjermanisht.
Në Berlin, më 1924: Prindërit, kundër dëshirës së tij, duan që të diplomohet në Juridik. Nuk u ndahet leximeve, e thërriste antikiteti, bashkëpunonte me revista në Elbasan dhe Berlin. Ndjehej i dashuruar, të gjitha gratë e bukura, mitike, dilnin nga kryeveprat botërore dhe bashkoheshin te njëra, shkëlqenin. Takimet me të, shëtitjet, bisedat, të qeshurat, puthjet e mbushnin me jetë dhe kohë të pajetuara, nga ato që kishin ikur dhe nga ato që do të vinin.
]Kjo ishte e tashmja e tij.
Po e Shqipërisë? Pse është kaq vonë vendi im?
Dhe, rijeton të kaluarën e vet, kur me të kaluarën e tij ishte në kohë dhe e ardhmja dukej se do të ishte normale, si e gjithë Europës. Dashuria është e pakohë dhe e gjithkohshme
Papritmas i vdes ajo që dashuronte, dhe ai shkruan për të elegjinë Galatës.
Tragjedia i bëhet pjesë e jetës, “fryma ime e të jetuarit”, do t’i shkruante Lasgush Poradecit më vonë.
Pasi përfundon tragjedinë Ulisi nën shëmbëlltyrën e Eskilit, dy vjet më vonë, më 1926 shkruan tragjedinë Akili në Vjenë. Kolos është edhe Shekspiri, thoshte, dhe punonte mbi skrivani që ta universalizonte gjithnjë e më shumë dhe veprën e vet.
Endej nëpër Vjenë. I ri, i fuqishëm. I duhet shkuar tragjedisë brenda, që të kuptohet … atdheu, vetja …
Vjen në Shqipëri në vitin 1927; emërohet nënprefekt në Lushnjë. Shikonte shtëpinë ku u mbajt kongresi shpëtimtar, mbushej me himnin e tij së brendshmi dhe pas një viti shkruan tragjedinë Aleksandri.
Iu bënë tri tragjeditë; i boton në Tiranë më 1931. Dhe, pastaj kalon me punë në Berat, akt tjetër tragjedie. Shkruante … Në Gjirokastër, akt tjetër, kryesekretar i prefekturës – viti 1933.
Edhe Mbreti kishte simpati për Et’hemin, thoshin, për kulturën e tij. Mbreti? Nga doli, pas perdes së teatrit? Dhe, përfundon tragjedinë Pirua (1934). Pas një viti tjetër tragjedi Skënderbeu (1935). Duhen thirrur heronjtë, prijësit, ata që bënë histori, që bënë kombin. Tragjeditë janë tempujt e tyre …
Tjetër tragjedi vitin tjetër, Diomedi (1936), kur përzihen mitologjia greke e ilire. Ndjente thika në shpirt, po e çanin dhe shkruan Abeli në prag të pushtimit (1938). Duhet ribërë Shqipëria e lashtë dhe ajo mesjetare, aristokracia e saj, kalorësia, kryekalorësat. I duhej mitologjia biblike, antikiteti, heronjtë, edhe tanët, pasionet e përjetshme, intrigat, përplasjet ideologjike, me to mund të ribësh botën, të edukosh, familja … fillesa … e bukura e estetikës klasiciste. Të pasurohet letërsia shqipe, se pasurojmë shpirtin; duke themeluar tragjedinë, do ta pakësojmë në jetë. Të mësojmë nga mynxyra për të nxjerrë dritë!
Gjatë pushtimit fashist italian, teksa nuk i pranonte kompromiset me pushtuesin, por as luftën vëllavrasëse, patriot dhe europian në vetvete, ngaqë kultura nuk është pushtim, por çlirim, me simpati për Nallin Kombëtar, botoi librin me poezi Lyra. Aty janë poemat Nimfat e Shkumbinit, ku gjahtarët vrasin këngën e tyre; janë elegjitë e dashurisë, Galatea, edhe ajo për nënën, Nata e zezë, që i kishte dashur aq shumë, më shumë se të gjithçka në botë, të gjalla dhe të vdekura … për Naim Frashërin, këngëtarin hyjnor, etj. Lira e Et’hem Haxhiademit e mbushi mjedisin me tinguj të argjendtë.
Pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore, i përvishet punëve, ato që lidheshin me kulturën; është themelues në Lidhjen e shkrimtarëve shqiptarë dhe kryetar për degën e Elbasanit, por regjimin e ri nuk e miratonte dhe e arrestojnë. Viti 1946. Tani po vinin në skenën reale të jetës një tjetër tragjedi, me kryepersonazh autorin, Et’hem Haxhiademi. Shkaqe politike, e kaluara e tragjedive po përsëritej. I konfiskojnë librat e bibliotekës së tij dhe gjithë dorëshkrimet. Fitimtarët e mbyllin Et’hem Haxhiademin në burgun e Burrelit. Si skenë epilogu. Mesjetë. Roje, tortura, dyer. Dhe, atje përkthente. Sigurisht që botoheshin me emra të tjerë. Ose kanë humbur më vonë.
I heshtur mes atyre mureve, dinjitoz dhe i zymtë. I trembeshin kulturës së tij të gjerë. Shkruan në burg romanin Jeta e njeriut dhe dramën Koha e premtueme, që kishte shumë dëshirë ta luante me të burgosurit, se teatri është jetë dhe jeta teatër. Ku janë ato tani, ku? Tragjeditë edhe harrohen, edhe vdesin, por edhe vidhen …
Viti 1965. Mbas 18 vjetësh burg, po i vinte dita e lirimit dhe ai ishte ende në gjendje, i fortë intelektualisht, në kulmin e përvojës, 63 vjeçar, dinte gjithçka nga terri i ferrit. Jo, ai nuk duhej të dilte. Dhe, ashtu u bë, por ka mbetur enigmë se si u krye vraja. Ndërkaq, e kishin marrë mallkimin e pafalshëm të Haxhiademit, vazhdimisht i tanishëm:
Qofsh i mallkue, i poshtun, ti për jetë,
Prej nesh edhe prej zotit të vërtetë.
Zemra e jote kurr mos paft gëzime,
N’mjerimin tand ne gjetshim nngushullime.
Ti qi na dhe për pleqëni kët tmerr,
Të bift n’vend t’grunit n’arën ntande ferr.
Jo vetëm ti por dhe fëmijët tuëj
Mënin e madhe paçin të gjithkuëj
Paçin bashk’me urrejtjen e njerzís,
Mallkimet e Krijuësit të Gjithsís.
Ashtu si prej Eskilit dhe Sofokliut, kujtesa botërore dhe fati ruajti nga shtatë tragjedi prej secilit; edhe shqiptarët kanë shtatë tragjedi nga tragjiku i tyre i vetëm, Et’hem Haxhiademi.
Aleluja!
Vepra tragjike e tij tashmë i tejkaloi tragjeditë e realiteteve të mëpasshme, të harresën mortore si të tillë. Tashmë ajo është jo vetëm letërsi e gjallë, por dhe kompleks monumental i kujtesës kombëtare, dëshmi e historisë dhe kulturës së një populli.