Site icon Telegrafi

Estrada fitoi miliona euro në vitin 2021, qindra mijëra pagoi tatim e pati këngëtarë edhe që u gjobitën

Ndonëse veç në një periudhë afërsisht tremujore gjatë verës së vitit 2021 patën ushtrim normal të veprimtarisë së tyre, estrada kosovare i pagoi qindra mijëra euro tatim shtetit.

Tre muajt e verës së vitit 2021 ishin ndoshta periudha kur estrada kosovare pati më së shumti punë dhe përfitime nga aktiviteti i tyre.

Dasma, ahengje e koncerte u organizuan me të madhe gjatë kësaj kohe pasi qeveria lehtësoi në maksimum masat restriktive.

Administrata Tatimore e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Për 10 muaj të vitit 2021, nga performancat vetëm brenda Kosovës, estrada pati qarkullim prej 7 milionë e 691 mijë euro.

Nga të dhënat e ofruara nga Administrata Tatimore e Kosovës për Telegrafin, bëhet e ditur se për 10 muaj, bazuar në përfitimet dhe qarkullimet e tyre, estrada i pagoi shtetit tatim në vlerë pre 408 mijë e 29 euro.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, sqaron se këto statistika janë të bazuara në bazë të aktivitetit ekonomik në të cilin ata janë të regjistruar.

Administrata Tatimore e Kosovës (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Sipas të dhënave që posedon ATK, shumica janë regjistruar në aktivitetin: “Aktivitete të tjera të argëtimit dhe rekreacionit”.

“Të dhënat janë bazuar në profesionin e tyre (Muzicient, këngëtar) si dhe në aktivitetin ekonomik (aktivitetet tjera te argëtimit dhe rekreacionit, krijimtari dhe shfaqje artistike) në të cilin shumë prej tyre janë te regjistruar. Andaj sa i përket aktiviteteve ekonomike, të dhënat përfshijnë edhe tatimpagues tjerë që nuk kanë të bëjnë fare me ketë kategori”, thotë Sefa-Bytyqi në përgjigjen dhënë Telegrafit.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Estrada Shqiptare

Mirëpo përveç atyre që i paguan tatim shtetit, pati edhe të tillë që nuk përfillën rregullat në fuqi të ATK-së, andaj në një situatë të tillë ata u përballën edhe me gjoba.

Administrata Tatimore e Kosovës bën të ditur se për estradën gjatë periudhës janar-tetor të 2021-tës shqiptoi 89 gjoba.

Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa (Foto: Screenshot)

Sidoqoftë, shuma që estrada ia pagoi shtetit gjatë këtij viti ishte shumë më e vogël se sa më 2019 kur në botë nuk ishte shfaqur ende pandemia e COVID-19.

ATK vitin e kaluar për Telegrafin bënte të ditur se më 2019 se nga estrada kishte inkasuar hiç më pak se 677 mijë euro.

Ndërkaq, më 2020, ATK nga kjo kategori mblidhte 244 mijë euro.

“Gjatë vitit 2019 nga kategoria e veprimtarisë Argëtimit dhe Rekracionit janë mbledhur të hyra në shumë prej 677 mijë euro, ndërsa në vitin 2020 të hyrat e mbledhura ishin 244 mijë euro. Si çdo veprimtari tjetër edhe veprimtaria ku bëjnë pjesë këngëtarët është subjekt i tatimit. Prandaj, duke pasur parasysh se sistemi i deklarimit në Kosovë është sistem i deklarimit vullnetar të të hyrave, kjo kategori ka paguar tatime, ku të dhënat e fundit u cekën më lartë. Përveç kësaj, ATK bazuar në Ligjin mbi Administratën Tatimore dhe procedurat, Neni 19, ka të drejtë të bëjë vlerësimin për tatim, aty ku beson se informatat e siguruara në deklaratën tatimore nuk janë të sakta”, shpjegonte ATK vitin e kaluar për Telegrafin.

Dasmat këtë vit u lejuan nën zbatimin e masave të marra nga Qeveria në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (Foto: Screenshot)

Kujtojmë se shuma e lartcekur e fituar nga estrada mund të jetë shumë më e madhe duke pasur parasysh se ata një pjesë të madhe të aktivitetit e kanë të koncentruar edhe jashtë Kosovës.

Jashtë Kosovës, ata tatimin e paguajnë në shtetin respektiv në të cilin performojnë. /Telegrafi/

Exit mobile version