Telegrafi

Estonia e mposht Maqedoninë, Kosovës tash i nevojitet vetëm fitorja

Përfaqësuesja e Maqedonisë në basketboll ka pësuar humbje prej 74-65 nga Estonia në Tallinn, në kuadër të xhiros së katërt të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror, ‘Kina 2019’.

Kjo humbje është lajm i mirë për përfaqësuesen e Kosovës, pasi që fatin e kualifikimit tash e ka në duart e veta.

Skuadra jonë duhet që vetëm ta mposhtë Estoninë të shtunën në Prishtinë (pa marrë parasysh rezultatin), për të siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Kampionatit Botëror që zhvillohet në vitin e ardhshëm në Kinë.

Kujtojmë se pas triumfit historik ndaj Maqedonisë në Prishtinë (72-68), Kosova pësoi humbje të thellë në udhëtim te Estonia (76-50).

Lexo po ashtu Një hap prapa, Kosova pëson nga Maqedonia

Po ashtu, përfaqësuesja jonë humbi edhe në udhëtim te Maqedonia (87-74), ashtu që ishte në pozitë të vështirë.

Mirëpo, pas triumfit të Estonisë ndaj Maqedonisë janë ngjallur shpresat, kjo edhe për faktin se kundërshtari i Kosovës tashmë e ka siguruar kualifikimin nga pozita e parë në grup dhe nuk do të sforcohet kur do të luajë në Prishtinë. /Telegrafi/