Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani të martën në mbrëmje në Berlin ka lexuar një ‘Laudatio’-fjalim nderi për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”.
E para e shtetit me një fjalim emocionues ka treguar rrugëtimin e vështirë të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe fatin e mirë që kanë tashmë gjeneratat e reja në Kosovë që jetojnë në paqe dhe pa frikë, raporton Telegrafi.
Osmani fjalimin e nisi me ditëlindjen e 11-të të vajzave të saj që e kishin para disa dite, e me të cilat tha se para gjumit në diskutimet e tyre të zakonshme rikujtuan sa të bekuara janë që bien në shtrat pa zhurmën e armëve.
“Janë gjenerata e parë e fëmijëve që janë të lirë të shkojnë në shkollë, që lirshëm flasin gjuhën e tyre, dhe gjenerata e parë që shohin prindërit të shkojnë në punë pa u frikësuar se mund të arrestohen…gjenerata e parë e fëmijëve që nuk e njohin luftën, por që kanë jetuar vetëm në paqe”, u shpreh e para e shtetit.
Ajo tutje u shpreh se derisa qëndronte në këtë ngjarje pranë presidentit Bill Clinton, kujtonte marsin e vitit 1999.
“Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur”, tha ajo.
Tutje presidentja e Republikës së Kosovës tha se për qytetarët e Kosovës, presidenti Clinton dhe ish-sekretarja Clinton nuk janë veç aleatë, janë simbol i lirisë sonë, transmeton Telegrafi.
Sipas saj, presidenti Clinton zgjodhi të mos e injorojë popullin e Kosovës kur po përballej me gjenocidin nga Serbia.
“Mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane—të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.
Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe”, u shpreh ndër të tjera Osmani. /Telegrafi/