Site icon Telegrafi

Është pensionuar legjenda e UFC-së, Georges St-Pierre – një prej yjeve më të mëdha të arteve të përziera marciale

Georges St-Pierre (Foto: Minas Panagiotakis/Getty Images/Guliver)

Georges St-Pierre e ka mbyllur librin e tij në UFC pas 17 vitesh karrierë në garën e famshme të arteve të përziera marciale (MMA).

Vendimi për t’u tërhequr erdhi pasi dështoi të aranzhonte një duel me kampionin e peshave të lehta, Khabib Nurmagomedov, një kundërshtar që do t’ia jepte rastin që të bëhej luftëtari i parë i UFC-së që mbante tituj në tri kategori të ndryshme.

Po të ndodhte dueli me Khabibin e pamposhtur dhe në rast se St-Pierre do të fitonte, ai padyshim se do të largohej si më i madhi i të gjitha kohërave.

Mirëpo, për shumëkënd, ai veçmë e ka epitetin e njërit prej më të mirëve në këtë sport. Kjo falë sundimit legjendar në kategorinë e peshave të mesme të lehta, ku ishte kampion gjatë viteve 2002-2013 dhe e mbrojti nëntë herë titullin.

Mënyra dominuese me të cilën i mposhtte kundërshtarët do të mbetet gjatë në mëndje të tifozëve të MMA, ndërsa në listën e humbësve ndaj tij qëndrojnë emra, si Josh Koscheck, Jake Shields, Matt Hughes e BJ Penn.


Statistika:

Duele: 28

Fitore: 26

Me nokaut: 8

Me dorëzim: 6

Me vendim të gjyqtarëve: 12

Humbje: 2

Me nokaut: 1

Me dorëzim: 1


Ai do të mbetet në listën e atyre që konkurrojnë për epitetin e më të mirit në histori të arteve të përziera marciale, si Anderson Silva, Jon Jones, Demetrious Johnson apo Fedor Emilanenko.

Georges St-Pierre gjatë duelit me Michael Bisping në vitin 2017 në New York City. (Foto: Mike Stobe/Getty Images/Guliver)

St-Pierre i ka mposhtur më të mirët në divizionin  e peshave të mesme, ndërsa për dallim nga të mëdhenjtë tjerë të kësaj gare, ai nuk ka dështuar asnjëherë në doping.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga UFC

37-vjeçari kanadez gjatë karrierës ka qenë kampion i dyfishtë në Ultimate Fighting Championship (UFC) duke fituar tituj në kategorinë e mesme të lehtë dhe në kategorinë e mesme.

Ai ishte pensionuar një herë në vitin 2013 si kampion në fuqi në kategorinë e peshave të mesme të lehta, me një rekord fitoresh në ndeshjet për titull dhe si mbrojtës i dytë më afatgjatë i titullit në histori të UFC-së (2.204 ditë) duke mbrojtur nëntë herë titullin.

Kanadezi u kthye në Tetëkëndësh në nëntor të vitit 2017 duke e mposhtur Michael Bispingun me dorëzim dhe e fitoi titullin në kategorinë e peshave të mesme dhe kështu u bë vetëm luftëtari i katërt në histori të UFC-së që mbante titull në më shumë se një kategori. /Telegrafi/

Exit mobile version