Telegrafi

Është mbrojtës i djathtë, por statistikat e Armend Thaqit në Ligën e Konferencës janë fantastike

Ballkani ka zhvilluar edhe ndeshjen e katërt në grupet e Ligës së Konferencës.

Suharekasit kanë pësuar humbje me rezultat 2-1 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë nga skuadra turke Sivasspor.

Edhe në këtë takim ishte mbrojtësi i djathtë i suharekasve, Armend Thaqi që realizoi golin e vetëm për kampionin në fuqi të Kosovës.

Thaqi është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer këtë edicion, ku në katër ndeshje ka statistika të jashtëzakonshme, statistika që do i dëshironte edhe ndonjë sulmues.

30-vjeçari ka shënuar tre gola e ka asistuar në dy të tjerë në katër ndeshje të plota që i ka zhvilluar në Ligën e Konferencës.

Thaqi golat i ka shënuar në ndeshjet ndaj Cluj në Fadil Vokrri si dhe ndaj Sivassporit në udhëtim e në shtëpi.

Ndërkohë anësori këmbëshpejtë ka bërë një asistim në udhëtim te Slavia Praga dhe një ndaj skuadrës turke në udhëtim.

Reprezentuesi kosovar ka vite që është ndër më të mirët në kampionatin tonë, por kjo formë e mrekullueshme në Ligën e Konferencës mund të bëjë që ai të vërshohet nga ofertat në afatin kalimtar të janarit ose në atë të verës së vitit 2023 .

Kujtojmë që pas katër ndeshjeve në grupet e Ligës së Konferencës, Ballkani ka katër pikë dhe ende ka gjasa reale për të kaluar nga grupi./Telegrafi/