Telegrafi

A është Liqeni i Ujmanit zonë e sigurt – ekspertët e sigurisë apelojnë për kujdes

Liqeni i Ujmanit /Foto: Ridvan Slivova

NJSI dhe NJSO janë njësitë elitare që muajin e fundit po e ruajnë Liqenin e Ujmanit. Ndonëse këto njësi janë për ndërhyrje anti terroriste e shpërndarje të masave, nga zyrtarët shtetërorë, prezenca e tyre atje po konsiderohet normale. 

Liqeni i Ujmanit ndonëse mjaft problematik për nga situatat e krijuara atje për vite të tëra, këtë verë u shndërrua në atraksion turistik për kosovarët.

Kësaj i kontribuoi sidomos fushata në rrjete sociale e deputetëve e aktivistëve të partisë në qeverisje për vizita atje e që pavarësisht se kishte prezencë të Policisë, situata kulmoi me hedhje të granatave në afërsi të liqenit.

E që nga ajo periudhë, Dukagjini ka marr vesh që tashmë për Ujmanin, veçanërisht në vilën e Milan Radoiçiqit po kujdesen dhe po e ruajnë njësitet më elitare të Policisë së Kosovës – ajo intervenuese që është antiterroriste e operative, që vepron kundrejt masave.

Kjo nuk është mohuar nga Zyra për media e Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe konform mandatit të saj ligjor e kushtetues, me njësitet e saja policore ofron siguri si dhe kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Njohësit e sigurisë vlerësojnë se proklamimi se Liqeni i Ujmanit është 100% i sigurt, ka qenë dhe është gabim.

“Tendenca për të krijuar një situatë që i ngjason normalitetit është rreziku më potencial që mund t’i kanoset qytetarëve të cilët lëvizin për të bërë ekzibicione të caktuara të dëshirave të tyre. Duhet të jenë të kujdesshëm sepse e dimë që ka akoma mbetje të strukturave kriminale,”  deklaroi për RTV Dukagjinin Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

Por, deputeti i shumicës në Komisionin për Siguri dhe Mbrojtje këtu nuk po sheh asgjë të jashtëzakonshme.

Lexo po ashtu Liqeni i Ujmanit së shpejti me parking për vizitorët

“Patrullimi i tyre është krejt normal se Ujmani është infrastrukturë kritike, është një asset mjaftë i çmueshëm i Republikës së Kosovës dhe hynë në domenin e infrastrukturës kritike prandaj siguria është mbi të gjitha dhe pjesëtarët e PK-së janë të thirrur që të kujdesën edhe për objektet por edhe për qytetarët që e frekuentojnë apo kalojnë andej”, tha Enver Dugolli nga Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje.

Njësia Speciale Intervenuese e njohur si FIT është njësi që ndërhynë në rastet me rrezikshmëri të lartë dhe ekstreme, kryesisht aksione anti-terroriste.

Në ndërkohë, Njësia Speciale Operative apo ROSU ndërhynë në raste të shpërndarjes së masave, protestave tensionuese e konfrontime me grupacione të rrezikshme.