Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar sot se Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” vetëm në koordinim dhe me garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Madje, Hoti në një postim në Facebook shkruan se në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator 2020, pranuan kërkesën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur” pasi morën garancën e tyre se pjesëmarrja në këtë nismë do të jetë mbi baza plotësisht të barabarta dhe se kjo nismë rajonale, dhe cilado nismë tjetër, ka sukses vetëm kur marrin pjesë të gjitha vendet.
Lexoni të plotë postimin e Hotit:
Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i Hapur” vetëm në koordinim dhe me garancat e SHBA-së
Në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja, në takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator 2020, ne pranuam kërkesën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur” pasi morëm garancën e tyre se:
pjesëmarrja jonë në këtë nismë do të jetë mbi baza plotësisht të barabarta dhe se
kjo nismë rajonale, dhe cilado nismë tjetër, ka sukses vetëm kur marrin pjesë të gjitha vendet.
Këto dy parime, si dhe faktin se kjo nismë është vetëm për bashkëpunim ekonomik, u theksuan dje në Ohër shumë qartë nga zyrtarët amerikan.
Në terma praktik, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njoh subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale në çdo aspekt sikurse të çdo vendi tjetër, pasi pjesëmarrja e palëve është në baza plotësisht të barabarta. Ndërkaq, parimi i dytë nënkupton se Serbia nuk mund të dominojë tregun rajonal kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë në këtë nismë.
Sidoqoftë, çdo nismë rajonale është e përkohshme, pasi orientimi ynë është integrimi në BE. Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me partnerin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bashkimin Evropian.
Kosova mund të bëhet pjesë e nismës rajonale “Ballkani i hapur” vetëm në koordinim dhe me garancat e SHBA-së.
Ndryshe, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 4 shtator 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dokumentin për normalizim ekonomik, e njohur si Marrëveshja e Washingtonit.
Marrëveshja që përmban 16 pika është nënshkruar në Shtëpi të Bardhë në prani të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Në kuadër të kësaj ishte edhe Moratoriumi me afat njëvjeçar, përmes së cilës pajtoheshin që Kosova të mos kërkojë anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia mos të lobojë kundër shtetit të Kosovës. /Telegrafi/