Site icon Telegrafi

Është koha e fundit për ta formuar ushtrinë

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka mirëpritur reagimin shtetëror të Kosovës për ndalimin e trenit ilegal serb në territorin tonë pavarësisht që, sipas tij, ky vendim ka qenë me vonesë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Qehaja ka deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të jenë të vëmendshme karshi provokimeve të Serbisë. Sipas tij, qëllimi parësor i Serbisë është ta aneksojë veriun e Kosovës.

Në këtë kontekst Qehaja ka vlerësuar se është koha e fundit që Kosova të bëhet me ushtri. Po ashtu, ai u ka bërë thirrje drejtuesve të shtetit ta “ngrijnë” procesin e bisedimeve me Serbinë deri në krijimin e një platforme të re.

Qehaja ka theksuar se BE-ja gjithnjë do t’ia mbajë anën Serbisë por, sipas tij, Kosova, edhe pse është shtet i vogël, duhet të ketë qëndrim parimor duke potencuar se “ne zbatojmë Kushtetutën tonë dhe pikë”

“Provokimet e fundit duhen shikuar në retrospektivë. Pra, prej çlirimit e këndej, me intensitet të madh apo të vogël kemi pasur shumë situata, ku Serbia na ka kërcënuar dhe shantazhuar. Kjo çfarë po ndodh në kohën e fundit, më tepër ka të bëjë me situatën e përgjithshme politike dhe diplomatike në rajon. Ka të bëjë me marrëdhëniet Serbi – Kroaci, marrëdhëniet Serbi – Bosnje, marrëdhëniet Kosovë – Serbi si dhe marrëdhëniet Serbi – Maqedoni. Është një ofensivë diplomatike dhe politike e Serbisë kundër Kosovës për ta dobësuar shtetësinë e saj me provokime të ndryshme. Provokimi ka filluar me arrestimin e z. Haradinaj, pastaj me lejimin e një muri në veri dhe, së fundi, ishte treni me ikonografi mesjetare nacionaliste serbe i nisur prej Beogradit për Kosovë. Ky tren kishte për qëllim provokimin dhe destabilizimin e situatës në Kosovë. Kurse Kosova është në defensivë në planin politik, diplomatik dhe në ndërmarrjen e masave konkrete të sigurisë për parandalimin e disa gjërave për të treguar se është shtet”, tha ai.

Exit mobile version