Site icon Telegrafi

A është e pranueshme Vjosa Osmani për SHBA-në si presidente? Palmer thotë se kjo është çështje e proceseve politike të Kosovës

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer në një intervistë për RTV Dukagjinin nuk ka dashur të komentojë nëse Vjosa Osmani është kandidatja më e përshtatshme për presidente të Kosovës.

Palmer thotë se Amerika nuk vendos kush do të jetë presidenti i ri i Kosovës.

“Sigurisht që unë nuk jam personi i duhur për të gjykuar për këto gjëra. Këto iu takojnë proceseve politike të Kosovës, është çështje për gjykatat e Kosovës për të vendosur kush i përmbush kushtet e kush jo. Nuk mund ta mendoj asnjë arsye përse nuk do të ishte e zgjedhshme. Pra, unë nuk do ta zgjedh presidentin e ardhshëm të Kosovës. Votuesit do ta zgjedhin presidentin e ardhshëm të Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit thotë se SHBA dëshiron që proceset të ecin përpara dhe të iu kthehen çështjeve me rëndësi.

“Ata do ta bëjnë këtë në mënyrë indirekte përmes procesit parlamentar, por publiku kosovar ka pasur rastin të shprehet, të shprehë vullnetin e vet në kutitë e votimit dhe ajo që dëshirojmë të shohim tash është proceset që kërkohen – formimi i qeverisë, përzgjedhja e presidentit – të ecin përpara dhe që t’ju kthehemi çështjeve që kanë rëndësi, e që janë për të siguruar stabilitet dhe prosperitet për popullin e Kosovës”, ka deklaruar tutje Palmer./Telegrafi/

Exit mobile version