Site icon Telegrafi

Është dashur të kalojnë 77 minuta, që policia në Teksas të ndërhyjë për të neutralizuar sulmuesin – që vrau 19 nxënës dhe dy mësuese

Gazeta Austin American-Statesman ka publikuar një pjesë të pamjeve të redaktuara që janë marrë nga kamerat e sigurisë, që tregojnë se si policët tërhiqen kur ndodhin të shtënat në korridorin e shkollës fillore Robb në Uvalde të Teksasit gjatë 24 majit.

Kujtojmë që nga ky sulm kishin humbur jetën 19 fëmijë (nxënës) dhe dy mësuese, që u qëlluan me pushkë automatike nga Salvador Ramos, transmeton Telegrafi.

Në video shihet sulmuesi 18-vjeç duke u futur në objekt duke bartur me vete pushkën automatike AR-15, duke ecur nëpër korridor në orën 11:33 të 24 majit.

Disa minuta më parë shihet një fëmijë që vjen nga skaji i korridorit dhe më pas ikë me shpejtësi. E policët e parë që arritën në vendin e ngjarjes, këtë e bënë pas dy minutave e gjysmë. Dy prej tyre fillimisht nisen drejt një klase, por tërhiqen menjëherë sapo dëgjojnë të shtënat.

Në ora 11:52 arrijnë policë tjerë të armatosur me revole dhe jelekë antiplumb. Megjithatë akoma nuk futen në klasë brenda të cilës gjendej sulmuesi.

Në 12:30 shihet se si një polic ndalet për t’i dezinfektuar duart. Në 12:50 – 77 minuta pasi që sulmuesi është futur në shkollë – policët futen brenda klasës dhe e qëllojnë për vdekje.

Reagimi i dobët i policisë po hetohet, e familjarët e viktimave janë zhgënjyer pas publikimit të pamjeve – ku e tërë videoja është paralajmëruar të publikohet gjatë vikendit.

Në fillim të muajit, është raportuar se një polic në Uvalde ka mundur ta qëllojë Ramosin para se ai të futej në shkollë. /Telegrafi/

Exit mobile version