Telegrafi

A është plagjiator Branko Merxhani – “babai” i neo-shqiptarizmës?

Nga: Ndriçim Kulla

Replikë me një ish kandidati për deputet që bëri opozitarin ndaj Branko Merxhanit – drejtuesit të revistës më të famshme, “Përpjekja shqiptare”.

Nuk e bëra drejtpërdrejt këtë replikë rreth dy javë para zgjedhjeve të 25 prillit, duke u rezervuar të mos ndikoja sadopak për të keq kundrejt ish-kandidatit që e bëri këtë akuzë, i cili po vazhdonte edhe fushatën elektorale për të konkurruar.

Zakonisht, në prag të zgjedhjeve kandidatët për deputetë kur marrin pjesë në debate televizive dhe përmendin dikë me emër duke e kontestuar, këtë gjë e bëjnë për kundërshtarët e tyre politike. Disa javë më parë, kandidat i PD-së për deputet në Qarkun e Durrësit, Agim Baçi, i cili ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan ku u debatua për temën “Kush janë intelektualët”, çuditërisht, në vend që të ironizonte ndonjë kundërshtar politik të tij – kandidat për deputet dhe ish-ministër i njohur si njeri me diploma të blera dhe afera korruptive – gjeti rast dhe sulmoi si plagjiator intelektualin Branko Merxhanin. Kur drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu e përmendi Branko Merxhanin si shembull të intelektualit të madh, z. Baçi tha se Merxhani kishte bërë plagjiaturë. Tezën e z. Baçi e mbështeti pa asnjë mëdyshje edhe i ftuari tjetër, Ergys Mërtiri.

Si botues dhe studiues, por me sa kam mundur edhe si promovues i veprës së Merxhanit dhe dhjetëra intelektualë të tjerë të ndaluar nga regjimi komunistë, u habita dhe indinjova nga këto që dëgjova, por megjithatë prita që të dëgjoja ndonjë argument për plagjiaturën e Merxhanit. Nuk pati asnjë të tillë.

Kur një njeri që pretendon se është studiues, si z. Baçi, e quan një intelektual si Merxhani si plagjiator, për këtë gjë duhet të bëjë së paku një studim që ta vërtetojë tezën e tij dhe jo thjesht me një fjalë. Deri më sot z. Baçi nuk ka botuar ndonjë studim të tillë. Këtë detyrim ai e ka edhe në të ardhmen, sepse megjithëse është intelektual pa libra, ai është pedagog i jashtëm në Departamentin e Gazetari-Komunikimit në Universitetin Publik të Tiranës.

Fjalët që tha kundër Merxhanit për mendimin tim janë një kosto që rëndon, dashur pa dashur, edhe mbi partinë që e kandidoi atë për deputet, Partinë Demokratike. Këto janë thënë publikisht dhe realisht dhe i prishin punë opozitës ku alternativa e saj qeverisëse do merrte një hije me qëndrime të tilla të papërgjegjshme. Këtë e them se Partia Demokratike e ka prioritet në programin e saj mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mendore shqiptare, ku bën pjesë edhe mendimi shqiptar, sidomos ai që ndaloi regjimi komunist; dhe një prej të shquarve është edhe Branko Merxhani. Madje, mund të thuhet se goditja që z. Baçi i bëri Merxhanit është një provokim edhe para intelektualëve njohës të Merxhanit që sot janë rritur shumë në numër. Dikur Merxhanin e sulmonte pa mëshirë propaganda e regjimit komunist si ideolog reaksionar. Merxhanin e vërtetë në fillim të viteve nëntëdhjetë e njihnin disa njerëz mbi 70 vjeç mes tyre dhe intelektual që kishin lexuar veprën e tij para vitit 1944. Sot vepra e Merxhanit është botuar e plotë, studiohet në disa nivele shkollore deri në universitet.

Kur z. Baçi e quan Merxhanin plagjiator me lehtësinë më të madhe, me këtë ai tregon se mund të mos e dijë mirë kuptimin e fjalës “plagjiator”, ose e bën nga dashakeqësia. Gëkalpi është një nga autorët turq që Branko Merxhani e ka për zemër, e ka shfrytëzuar, e përmend shumë dhe e citon vazhdimisht në shumësinë e shkrimeve të tij nëpërmjet të cilëve ka shprehur idetë në kohën që ishte në Shqipëri. Por, Gëkalpi nuk është një nga autorët e vetëm që Merxhani përmend shpesh. Ata që Merxhani i përmend më shpesh gjatë gjithë veprës së tij janë të tjerë autorë, perëndimorë. Edhe këta Merxhani i citon dhe iu referohet njëlloj si Gëkalpit. Çuditërisht, z. Baçi e akuzon Merxhanin për plagjiaturë. Ironia është se nëse dikush duhet të akuzohet si plagjiator, sipas kritereve të z. Baçi atëherë ky është vetë z. Baçi i cili është autor i librit “Letër Dylqinjës” dhe mund të thuhet, sipas logjikës së tij, se i ka bërë plagjiaturë Servantesit.

Duke dashur t’i shkojmë deri në plotëni rrugëtimit merxhanian, përveç interpretimit të qëndrimit të tij për rrymat më mbizotëruese të kohës, do të qe e vlefshme të analizoheshin edhe sistemet, autorët apo mentarët e veçantë që e ndihmuan mendimtarin në krijimin e doktrinës së tij. “Duke pasur parasysh fakti se edhe sistemet e mendimit kanë historinë e vet, dhe se ato mund të vjetrohen e të tejkalohen, mbetet një çështje e hapur nëse (dhe në ç’masë) ‘neo-shqiptarizma’ e viteve ’20-’30 mund të shërbejë si model për shqiptarët sot. Sidoqoftë, për diçka mund të jemi të sigurt, për faktin se ‘neo-shqiptarizma’ e Merxhanit nuk ishte një sistem plotësisht autentik i mendimit, por në një masë të madhe e huazuar nga ideologjia e ‘turkizmit’ e mendimtarit turk Zija Gëkalp (1876-1924)”, shkruan studiuesi Enis Sulstarova në një trajtim të tij të gjatë mbi paralelizmat midis teorisë së këtyre mendimtarëve.

Përpara Merxhanit, Gëkalpi konceptoi një sistem ideor për të orientuar e udhëzuar komb-ndërtimin turk dhe modernizimin e shoqërisë turke, një sistem i cili do të kishte ndikim te politikat e ndjekura nga Ataturku. Të njëjtën ambicie duket se ushqente edhe Merxhani: për ta bërë neo-shqiptarizmën udhërrëfyese intelektuale për Mbretin Zog dhe rininë shqiptare. Gjithashtu, Merxhani në shtypin shqiptar argumentonte se disa prej reformave të Ataturkut mund të zbatoheshin edhe në Shqipëri. Ai i njihte mjaft mirë shkrimet e Gëkalpit, të paktën aq sa për të ndikuar në krijimin e një ideologjie sintetike nacionaliste shqiptare. Atëherë Merxhani e përmend Gëkalpin në shkrimet e tij, e quan me respekt mentar të kombit dhe të rinisë turke, apo një ndër poetët e shpirtit kombëtar turk. Dhe, si na bëhet e ditur dy herë, më 1930 dhe më 1934, ai u premton lexuesve se së shpejti do të botonte një studim të gjatë mbi jetën dhe idetë e këtij turku idealist të madh, por me sa duket ky studim për arsye të kompleksitetit të jetës së tij nuk u realizua dot.

Për t’i qëndruar besnikë së vërtetës, të gjitha këto karakteristika dhe përshatjet që Merxhani i bëri filozofisë së Gëkalpit, mund të qëndrojnë. Vetëm se po kaq e vërtetë dhe e padiskutueshme është edhe bindja e patundur që Merxhani kishte ndaj qemalizmës dhe përshtatja që ai i bëri këtij sistemi, si frymë, si erë historike, si ideal nacionalist. Ndaj, nëse ka ekzistuar një huazim thelbësor dhe i rëndësishëm në mendimin e tij, ai duhet te gjendet sidomos në pikëpamjen e tij për qemalizmën.

Për të arritur deri këtu, le të bëjmë një parantezë të shkurtër, për një tjetër mendimtar turk po kaq të famshëm, si Aga Oglu Ahmed, për të cilin Merxhani ka bërë disa artikuj përmbledhës të mendimit. “Këto ditë këndova këtë libër të bukur të publicistit të njohur turk. U shkrua në 1919-29 në Maltë, ku auktori jetoi disa muaj bashkë me disa nacionalistë turq të tjerë si i internuar. Asi kohe Stambolli dhe shumë vise të tjera të Turqisë ishin të zaptuara prej ushtërivet mundëse të Ententës. Gjenerali engles Harington, Komandant i Përgjithëshmë i Ushtërivet Aliate në Orient, e quajti të nevojëshme, për sigurimin e fuqivet aliate, të largojë të gjithë Kryetarët e lëvizjes nacionaliste turke në nisinë e largme dhe të pa-rezikëshme të Maltës. Po atje nacionalistët turq nuk mbetën me duar-lidhur. Hysein Xhahidi atje filloi të shkruajë librat e tij, të cilat më pastaj formuan koleksionin e math të “Bibliotekës së Djalit t’im”. Zia Gjok Alp-i në atë kohë të syrgjynllëkut mundi t’i regullojë më mirë dorëshkrimet e tij. Edhe kjo libër e Aga Oglu Ahmed-it u shkrua në një dhomë të errët të burgut engles në Maltë” .

Analiza që ai i bën teorisë së këtij mendimtari tregon se ata mund të mos përputhen në mjaft ide dhe parime, por përgjithësisht ai i vlerëson përfundimet e tij në një këndvështrim tjetër, kur thotë se sipas “Aga Oglu Ahmed-it, për popujt e Orientit dhe të Asisë nuk ka tjetër shpëtim përveç se të pranojmë Qytetërimin Evropjan ashtu siç është: En block… Kjo temë për Turqinë e sotme e humbi, ndofta, vlerën e saj të mëparëshme, sqaron Merxhani, për faktin se kryengritja e Mustafa Qemalit po realizon tani transformimet e mëdha, të cilat dhjetë vjet më parë dukeshin si ëndrra të bukura dhe përalla fantastike, bile edhe për Europaistët Turq më fanatikë dhe më optimistë. Po jemi vallë edhe ne në këtë pozitë? A mund të themi vallë edhe ne po këtë gjë? – Nuk më duket. Ne jemi akoma shumë larg nga të tilla idera. As që e kemi filluar akoma mirë periodën t’onë reformonjëse…”

Duket qartë se edhe në qëndrimin që mban ndaj Qemalizmës, autori këshillon parimin e tij të famshëm të njohjes, studimit dhe pastaj formimit. Ndaj, do të qe interesante të shpjegonim më në thellësi se ç’ishte në thelb Qemalizma dhe si konceptohej ajo nga mendimtarët e viteve 30-të. “Nuk është puna që t’a marim si model. Po na duhet era e tij…”, perifrazonte Merxhani dhe shtonte. “Turqia e Re në këtë rrugë të re po ka hedhur çape gjiganteske. Aga Oglu Ahmed-i nuk është i vetmi që mendon kështu. E gjithë shoqëria turke po marshon në këto drejtime. Ç’përfundim vallë do të sjellin tentativat e zbatimit total dhe të pandryshuar të qytetërimit evropjan që ajo po adopton? – Nuk më pëlqejnë profetitë. Më pëlqen puna”. Ky është qëndrimi i prerë që ai mban ndaj kësaj teme

Për çfarë është plagjiator Merxhani lind pyetja ? Në cilën vepër të tij është konstatuar kjo plagjiaturë? A ka ai një vepër të mirfillt shkencore apo studimore që të ketë autorësinë e tij e që dikush të shpreh pretendimin për plagjiaturë. Merxhani ka një projekt kulturor, letrar dhe social i cili në thelb kishte si qëllim rilindjen kulturore të Shqipërisë. Ai siç shprehet edhe vet erdhi në Shqipëri për të ndihmuar popullin shqiptarë me këtë projekt në mëndje dhe ideja kryesore e këtij projekti ishte sintezë e ideve të disa ideatorëve të tjerë të mëdhenj, prej të cilëve ishte frymëzuar.

Sipas kriticistëve, çfarë të bënte Merxhani në formulat e neoshqiptarizmësm të citonte të gjithë filozofet, sociologët dhe mendimtarët që e kishin ndihmuar për të formuar këto ide? Po a ishte e mundur praktikisht? Me siguri që do na dilte një studim me dy a tre vëllime që nuk do kishin prakticitetin e një programi për të cilin Shqipëria kishte nevoja të ngutshme për tu zbatuar. Drejtuesi i revistës më prestigjize të kohës, “Përpjekja Shqiptare”, një revistë kulturore, shoqërore, ekonomike, letrare etj. që i dha tonin jetës mendore të viteve 30-të të shek të kaluar, ka “bashkëpunuar” ngushtë për projektin e tij edhe shumë mendimtarë gjenial, por sidomos me Gëkalpin i cili ishte një ithtar i kombit kulturor të shkollës gjermane. Vërtet që të dy me ngjashmëri të madhe me njeri-tjetrin si Gëkalpi dhe Merxhani u ndikuan nga idetë e sociologjisë të Durkeimit dhe nga filozofia e Bergsonit, kur arritën që të krijonin lëvizje kulturore kombëtare. Natyrisht se njohja me thellësi e sistemit të Gëkalpit dhe e sukseseve të arritura nga Ataturku, e kanë bindur Merxhanin se një sistem i ngjashëm mund të zbatohej edhe në Shqipëri.

Duke u mbështetur tek argumentet e Gëkalpit dhe mendimtarëve të tjerë turq, Merxhani ndiente se po ecte në një rrugë të shkelur dhe të sigurt, paçka se nuk duhej përmendur emri i mentorit, ndoshta jo për të mos dëmtuar autencitetin e neo-shqiptarizmës, por për faktin e rëndësishëm se në kohën e tij ai idetë e tij i prezantoi në shkrimet e revistës “Përpjakja Shqiptare” dhe jo në një studim të mirëfilltë që do ta kishte më të lehtë pë referimin.

Si mund të thuhet pa argumentuar për drejtuesin e revistës më të famshme shqiptare “Përpjekja Shqiptare” e cila së bashku me “Hyllin e Dritës” shkëlqyen me rreze të ndritshme iluminizmi në vitet ’30 të shekullit të kaluar në botën shqiptare?! Për çfarë bëhet kjo, për modë?!

Përsëri duke iu kthyer studiuesit Sulstarova i cili ka qenë nga të rrallët që ka lëvizur në këtë drejtim në studimin e tij që mua më duket korrekt pavarsisht këndvështrimit të tij në të cilin është shprehur se “disa prej shkrimeve të Branko Merxhani janë veçse riprodhime të artikujve të Gëkalpit, por të përshtature ndaj realitetit shqiptar të kohës”. Megjithatë, ky interpretim meriton një studim më vete. Por, Gëte thotë diku se “në ato që do lexoni nga unë në shumicën më të madhe prej tyre u përkasin të tjerëve”. Asnjë ide nuk është e kulluar ashtu sikur ka rënë nga qielli. Idetë qarkullojnë në histori dhe në një realitet të përcaktuar sipas parimit të enëve komunikuese. Por, ato nuk kane asnjëherë origjinalitet të kulluar. Në këtë kuptim Merxhani krijoi një projekt, risia e të cilit qëndron në origjinalitetin madhështor që ai përshtati idetë e tij ,të cilat ishin të përkryera jo vetëm për realitetin shqiptarë të viteve 1930, por ato japin dritë të qartë edhe për problemet e sotme të realitetit shqiptar, të cilat sot ja vlen të debatohen.

Secili që dëshiron të zbulojë rrënjët e përshtatjeve ose rikrijimit të këtyre ideve do jepte një kontribut ta bënte, si në aspektin shkencor, ashtu edhe aspektin promovues të Branko Merxhanit i cili ka nevojë për këtë, sepse ai hynë në kategorinë e njerëzve të ndaluar, të mallkuar dhe të dënuar nga regjimi komunist. Por, kjo ka një rrugë të qartë dhe të ndershme për tu bërë. Vetëm duke bërë studime ose tema të përcaktuara studimore dhe jo duke thënë një fjalë atje një fjalë këtu, sa nga një ekran në tjetrin pa mbajtur përgjegjësi për ato që thua, ose duke marrë penën vetëm për të rrëzuar çdo figurë që është bërë diçka e rëndomtë tek ne sot .Të gjithë ne që kemi patur ndjeshmërinë e botimit dhe promovimit të vlerave të këtyre intelektualëve, përfshirë këtu edhe Branko Merxhanin, kryesisht të ndaluar nga regjimi komunist të cilët regjimi i kishte bërë karikatura profilet e tyre, jemi udhëhequr vetëm nga dashamirësia dhe nga interesi publik që kjo lloj literatute të hynte në kontakt me brezin tonë. Dhe, kjo nuk ka qenë fare një punë e lehtë për t’u bërë në Shqipërinë e pavëmendshme të tranzicionit.