Kryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Nikola Sanduloviq, ka komentuar deklaratën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se Milan Radoiçiq duhet të arrestohet dhe se për të ekziston një fletarrestim ndërkombëtar.
Escobar, duke u përgjigjur në pyetjen nëse SHBA do t’i bëjë presion Serbisë për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë në Kosovë, ka thënë se hetimet janë duke vazhduar dhe se Radoiçiqi duhet të arrestohet.
“Në Serbi ne kemi thënë që ai duhet të arrestohet dhe duhet të ngarkohet për krimet, për të cilat mund të ngarkohet në Serbi. E di që ekziston edhe një fletarrestim i INTERPOL-it për të”, ka thënë Escobar në një intervistë për REL.
Ndërsa, lidhur me atë se Radoiçiq, përveçse është i lirë, duket se po mban lidhje të ngushta me zyrtarët serbë, sikurse me ambasadorin serb në SHBA, Marko Gjuriq, duke iu referuar një fotografie që po qarkullon në rrjetet sociale, Escobar ka thënë se komenti i tij është i njëjtë.
“Radoiçiq është personi që e ka organizuar sulmin e 24 shtatorit. Ai është person i arratisur, i kërkuar ndërkombëtarisht, është nën sanksione amerikane dhe nuk ka vend për të në hapësirën politike”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.
Këtë deklaratë të Escobarit e ka komentuar politikani serb Nikola Sanduloviq, përmes një postimi në rrjetin social X, duke thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk do ta dorëzojë Radoiçiqin në INTERPOL.
“Kush do të jetë i pari që do të arrestojë apo tradhtojë cilin? Aleksandar Vuçiq do të jetë i pari që do të tradhtojë Milan Radoiçiqin, apo Milan Radoiçiq do ta tradhtojë Aleksandar Vuçiqin?
Kush do të përfundojë në burg për shkak të kujt apo kushedi ku?!
A i dini përgjigjet e këtyre pyetjeve z. Gabriel Escobar?
Po ju pyes sepse shoh që nuk u përgjigjeni shumë pyetjeve në këtë intervistë.
Nëse “nuk e dini” përgjigjen e duhur për disa pyetje edhe pas 20 vitesh të kaluara në Ballkan, mos ngurroni të më kontaktoni dhe unë do t’ju ndihmoj të gjeni përgjigjet. Ndoshta as nuk e dini se më kanë rrëmbyer, torturuar dhe rrahur në zyrat e BIA-s serbe në prani të Milan Radoiçiqit, të cilin Aleksandar Vuçiq nuk do ta dorëzojë në INTERPOL? Unë do t’ju jap një link zoti Escobar që u përgjigjet shumë pyetjeve, sigurisht nëse miku juaj Aleksandar Vuçiq ju lejon të më takoni…”, ka shkruar Sanduloviq. /Telegrafi/
"To be or not to be, that's the question now"?!
Who will be the first to arrest or betray whom?
Aleksandar Vučić will be the first to betray Milan Radoičić, or will Milan Radoičić betray Aleksander Vučić?
Who will end up in prison because of whom or who knows where?!
Do you know… pic.twitter.com/3LUX3daq61— Nikola Sandulovic (@Sandulovic_N) March 15, 2024