Zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Escobar në Shkup do të takohet me presidentin Stevo Pendarovski, me kryeministrin Zoran Zaev dhe me shefin e diplomacisë, Bujar Osmani.
Është paraparë që Escobar dhe Osmani, pas takimit në MPJ, të kenë edhe konferencë të përbashkët për shtyp.
Vizitën dje e paralajmëroi edhe Ambasada e SHBA-së në Shkup, e cila në faqen e vet në Fejsbuk kumtoi se “Escobari do të takohet me presidentin Pendarovski dhe me funksionarë të tjerë kyç për të biseduar për disa tema dhe prioritete të përbashkëta për rajonin”.
Pritet në takimet në Shkup të bëhet fjalë për ngjarjet aktuale politike në vend dhe në rajon, si dhe për eurointegrimin dhe bllokadën bullgare të Maqedonisë së Veriut.
Escobar, kohë më parë, në fjalimin para Komitetit të Dhomës përfaqësuese për politikë të jashtme të SHBA-së, u angazhua që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat me BE-në para fundit të këtij viti.
“Porosia më e fuqishme që BE-ja mund ta dërgojë është të fillojë negociata për anëtarësim në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, para fundit të këtij viti kalendarik. Me atë, do të hidhet poshtë zhgënjimi i popullatës në rajon nga politikat evropiane dhe do të ndalet ndikimi me qëllim të keq i Rusisë dhe Kinës, të cilat punojnë kundër zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, tha Escobar.
Tha edhe se Shkupi dhe Tirana e përfunduan punën e vështirë që kërkohej prej tyre dhe se procesi duhet të fillojë pa shtyrje, duke cekur deklaratën e përbashkët të sekretarit amerikan të Shtetit, Entoni Blinken dhe përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josepp Borell se eurointegrimi është shpresa e vetme për rajonin.