Site icon Telegrafi

Escobar: Kosova të përmbushë kërkesat për targat dhe Asociacionin

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen targave të makinave dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme.

Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Escobar e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës ku institucionet vendase kanë mbetur pa punonjës serbë, të cilët u tërhoqën për shkak të mospajtimeve me vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të QUINT-it, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.

Escobar tha se koha është për më shumë dialog dhe se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta gjatë procesit të bisedimeve se cilat janë pritshmëritë nga pala e Kosovës.

“Ne kemi qenë po ashtu shumë të qartë me palën serbe se pajtohemi që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në rendin e ditës. Unë kam biseduar më një gamë të gjerë zërash brenda Kosovës që e mbështesin këtë dhe janë të vullnetshëm të ndihmojnë Kosovën të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për këtë çështje”, tha zoti Escobar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën se Serbia po përpiqet të maskojë refuzimin e nismës franko-gjermane për një marrëveshje ndërmjet të dyja vendeve duke bërë përpjekje të destabilizojë situatën ne veriun e Kosovës.

Escobar, i cili e mbështet propozim franko-gjerman, nuk pajtohet me këtë pohim.

“Jo nuk mendoj që është kështu. Mendoj se reagimi është në atë se çfarë po ndodhë në terren. Sa i përket propozimit franko-gjerman është shumë herët për ne që të peshojmë përgjigjet. Kjo situatë, kjo krizë duhet të trajtohet për atë që është. Janë tensione që po rriten për shkak të mungesës së komunikimit, mungesës së bashkërendimit dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë dhe për t’u angazhuar plotësisht në dialog”, tha Escobar.

Ai theksoi se pavarësisht rezultateve të zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara, nuk do të ketë ndryshim të qasjes amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Pikëpamja jonë për Ballkanin Perëndimor është se rajoni duhet të jetë i integruar në komunitetin e vendeve demokratike perëndimore që do të thotë anëtarësim në Bashkimin Evropian për të gjithë, anëtarësim në NATO për ata që duan dhe integrim rajonal për të gjithë që të ndihmojnë zgjidhjen e dallimeve midis tyre. Pra jo asgjë nuk do të ndryshojë si rrjedhojë e zgjedhjeve”, tha  Escobar, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor.

“Në fakt ishin përpjekjet tona në bashkërendim me aleatët tanë evropian që siguruan ripërtëritjen e rezolutës në Këshillin e Sigurimit për vazhdimin e misionit paqeruajtës në Bosnje. Dhe mbi të gjitha ne kemi një përkushtim të fuqishëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës nëpërmjet KFOR-it”, tha i dërguari amerikan. /VoA/

Exit mobile version