Site icon Telegrafi

Escobar flet pas takimit me Kurtin: Pres implementimin e Asociacionit dhe dërgimin përpara të propozimit franko-gjerman

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është deklaruar pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Ai tha të martën se është koha që të diskutohet për fillimin e themelimit të Asociacionit të komunave serbe dhe se këtë tha ai, ia ka bërë të qartë edhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ne duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit, e kam bërë shumë të qartë këtë. Shpresoj se do të kemi një zgjidhje shumë afër në të ardhmen në këtë krizë”.

Escobar tha se shpreson që të ketë shpejt një zgjidhje për krizën aktuale në veriun e Kosovës ndërsa i shprehu mbështetje propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jam shumë i inkurajuar që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian është këtu dhe shpreha mbështetjen time për përpjekjet e tij që të lëvizë në propozimin franko-gjerman”, tha ai.

Ndryshe, në një intervistë për REL, Escobar tha sot se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

“Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuar”, tha ai

Escobar tha se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.

Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.

Më të dërguarin amerikan është takuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive opozitare në Kosovë.

Deri tani diplomati amerikan nuk ka folur për mediat rreth vizitës së tij në Kosovë.

Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.

Vizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës është e tensionuar.

Gjashtë barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndaj u caktua një muaj paraburgim.

Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura në veri të Kosovës nga serbët lokalë.

Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu. /Telegrafi/

Exit mobile version