I dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor së bashku me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të nisin të hënën një vizitë zyrtare në Kosovë.
Escobar dhe Chollet pritet që të hënën pasdite të kenë takime me krerët e shtetit, ndërkaq të martën me liderët opozitarë.
Siç mëson Telegrafi, takimi i zyrtarëve amerikanë me krerët e opozitës në Kosovë, do të mbahet në rezidencën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier.
Telegrafi gjithashtu ka mësuar se tashmë praninë e tij në këtë takim e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në takim pritet të jenë edhe Lumir Abdixhiku nga LDK dhe Ramush Haradinaj nga AAK.
Vizita e tyre zhvillohet në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.
Para delegacionit amerikan, në Prishtinë ka qëndruar të martën emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak, i cili palës kosovare i prezantoi versionin e ri të “planit franko-gjerman” për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. /Telegrafi/