Site icon Telegrafi

Eruditja Margherita Sarrocchi, gruaja që shkroi poemën epike për Skënderbeun

Nga: Brizida Gjikondi

Margherita Sarrocchi është gruaja e parë në historinë e letërsisë italiane që ka shkruar një poemë epike. Ndër shekuj, asnjë tjetër përpara saj. Kjo poemë epike i dedikohej tërësisht Skënderbeut. Dhe, kjo poemë, bashkë me shkruesen e saj, i kanë mbetur historisë së letërsisë italiane.

E lindur në 1560 dhe e mbetur shpejt jetime, rritet nga një peshkopi kalabrez, Guiliemo Sirleto, i cili edhe mbas transferimit si kardinal në Romë ne Bibliotekën e Vatikanit, e merr me vete vogëlushen atëherë pesë vjece. Studion teologji, poezi, muzikë, gjuhë dhe letërsi greke dhe latine, studion retorikë, logjikë dhe filozofi. Falë gjenialitetit të saj të rrallë, kardinali i lejon asaj të studiojë shkencë, e cila në atë kohë ishte e rezervuar vetëm për meshkuj. Margherita merr mësime në aritmetikë, astronomi, gjeometri. Ka dy profesorë të jashtëzakonshëm, më të mirët që Roma në atë kohë mund të ofronte: studiuesi dhe juristi Rinaldo Corso e udhëheq atë në shkencat humane, ndërsa matematikani Luca Valerio, të cilin Galileo e përcakton si “Arkimedi i ri”, e udhëheq në lëndët shkencore.

Që në rininë e hershme ishte e njohur në rrethet akademike romane. Korrespondenca e saj me figurat më të shquara të epokës – Galileo Galilei, Torquato Taso, Guido Betoli, Corneli Cataneo etj. – dëshmojnë influencën dhe vlerësimin që personalitetet e shquara të kohës kishin për njohuritë e saj në fushën e astronomisë, gjeometrisë, fizikës etj., çka e bëri atë dhe anëtaren e parë femër të disa Akademive në Itali, si në Napoli dhe në Romë. Gjithashtu, ajo ishte dhe përkthyese e teksteve të lashta greke, njohëse dhe komentuese e vargjeve të Dantes dhe Petrarkës, shkruese e teksteve filozofik.

Shumë vepra të saj nuk kanë arritur dot deri më sot, por falë citimit dhe komenteve që intelektualët e asaj epoke I bënin në korrespondencat e tyre, sot njihen titujt e punimeve të saj. Vepra e vetme e saj që i ka mbijetuar kohës është poema heroike “Scanderbeide” – poemë e cila pa dritën e botimit një herë në nxitim e sipër në 1606 (nga frika e plagjiaturës) ku u botuan vetëm 11 këngë nga 24 që duhet të ishin e që u botuan plotësisht në 1623 mbas vdekjes së saj.

Nga korrespondenca me Galileo Galilein rezulton që ajo e vlerësonte shumë mendimin e tij në raport me këtë poemë (arkiva e Bibliotekës Kombëtare në Firence). Burimi historik që mendohet se Margherita Sarrochi ka përdorur për këtë poemë elitare ka qenë edhe teksti i historianëve të shquar Paolo Giovo dhe Andrea Gambini, “Commentarii delle cose de Turchi, con gli fatti e la vita di Scanderbeg”. Ky tekst historik e paraqet Skënderbeun në të gjithë shkëlqimin dhe gjenialitetin e tij. Ajo, ashtu si dhe Giovo dhe Gambini, e përshkruan Skënderbeun me një portret që përputhej në mënyrë reale me karakteristikat e heroit epik: mençuria, zemërgjerësia, dënimi i veseve, përulësia dhe thjeshtësia e kombinuar me aftësinë luftarake dhe besimin e zjarrtë i paraqitën botës një figurë heroike që ndikoi jo vetëm në ndalimin e përparimit të pushtimit turk në territoret evropiane, por mbarte në vetvete dhe vlera të pakontestueshme të një udhëheqësi me përmasa historike dhe botërore.

Poema “Scanderbeide”, e botuar dhe cituar shpesh në tekstet dhe enciklopeditë italiane, jo vetëm për vlerën e poemës por edhe për shkruesen e saj (një simbol i emancipimit dhe femrës shkencëtare italiane) u përkthye në vitin 2006 në formën e prozës (në anglisht) – “Scanderbeide: The Heroic Deeds of George Scanderbeg, King of Epirus” nga profesoresha e njohur e Universitetit të Çikagos në ShBA, Rinaldina Rusell.

Rashë në gjurmët e kësaj poeme dhe të historisë së Margherita Sarrocchit rastësisht përpara tre vjetësh, dhe me një kuriozitet dhe interesim profan zbulova se kopje origjinale të botimit të plotë të veprës së saj ndodhet në Bibliotekën tonë Kombëtare por edhe në Bibliotekën e Shkodrës. Mendohet që është edhe një kopje origjinale në Elbasan falë eruditit Sotir Kolea. I përmenda këto të dhëna pasi është e dhimbshme që edhe pas rreth 400 vjetësh kjo vepër që ka të bëjë për simbolin dhe heroin tonë kombëtar ende nuk ka parë dritën e shqipërimit ndër shqiptarë.

Vepra ka vlera poetike, historike dhe kombëtare për ne shqiptarët. Ne duhet të rreshtim duke u mburrur dhe vetëmburrur në mënyrë foshnjarake dhe delirante. Mjafton që ti shtrohemi punës, dijes, shqipërimit dhe njohjes së veprave si kjo dhe hapat që do të na çojnë drejt Evropës do t jenë më të pakët se dje.

P.S. Të tre punimet (librat) e sipërcituar, të botuara në vitet 1606, 1623 dhe botimi i fundit në prozë në anglisht i vitit 2006 janë të qasshme në googel.books.

 

 

 

Exit mobile version