Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Eroll Salihu, ka vlerësuar lart kontributin e legjendës Fadil Vokrri për futbollin e Kosovës.
Salihu ishte tejet i trishtuar për humbjen e kryetarit të FFK-së, dhe për këtë ai tha se Vokrrit me të drejtë i atribuohen sukseset për antarësimin e FFK-së në organizatat ndërkomëtare, FIFA dhe UEFA.
“Atij me të drejtë i atribohet suksesi për antarësimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA. Ne nuk është dashur të jemi këtu sot, por të udhëtojmë drejt Rusisë për të pritur fillimin e ngjarjes më të madhe sportive, Kampionatin Botëror”, theksoi Salihu.
Eroll Salihu vlerëson lart Vokrrin si person pozitiv, duke thënë se sikurse në futboll edhe në jetë goli ishte caku i tij.
“Fadil Vokrri na la me thjeshtësinë e pashoq që e karakterizoi. Jep gol dhe ec tutje, publiku e përgëzonte, por ai gjithmonë qëndronte pa mburrje dhe pa u lëvduar. Sukseset e tij janë përcjellur me brohoritje dhe vlerësim”.
“Emri i tij ka hapur rrugë edhe pa prezencën e tij fizike. Kurse vendin e tij në zemrat e njerëzve e ka fituar që kur kaloi kufijt me talentin dhe suksesin e tij duke dhënë dinjitet të gjithë futbollistëve”.
“Nëse sot kemi anë e kënd botës që kemi yje, pa dyshim se Vokrri kishte rol duke përfaqësuar një ëndërr që ai e kishte realizuar”.
“Ka qenë dhe do të mbetet sinonim i futbollit dhe i sportit të Kosovës. Ngushëllime më të thellë në emër të FFK-së, u prehsh në paqe president”, u shpreh Eroll Salihu.
/Telegrafi/