Këngëtari i njohur shqiptar, Ermal Fejzullahu, në një intervistë të fundit për një nga emisionet verore të Ora News, ka komentuar situatën aktuale të shkaktuar nga COVID-19.
Pandemia globale ka bërë që koncertet dhe mbrëmjet muzikore të të gjithë këngëtarëve të estradës të mos mbahen, shkaku i tubimeve në masë që mund të shkaktojnë përhapje të madhe të virusit.
“Këtë verë nuk kemi pasur shumë. Kolegët e mi janë lig sepse nuk kanë pasur shumë punë, por përderisa në trojet e Kosovës dhe të Shqipërisë ka shumë të varfër, për ne është shumë turp të na dëgjojë kush duke u ankuar e duke thënë nuk kemi punë. Është turp prej Zotit, kështu që ne të bëjmë maksimumin tonë e t’i kënaqim ata. Nuk kanë lidhje pazaret, nuk kanë lidhje lekët, është turpi i botës të flasin këngëtarët për lekë”, deklaroi këngëtari Fejzullahu.
Duket se reagimet kanë qenë të shumta pas një deklarate të tillë, mirëpo Ermali ka sqaruar se ka qenë thjeshtë një keqinterpretim i asaj çfarë ka thënë, nga persona me qëllime të caktuara.
“Një intervistë e imja e fundit tek ‘Ora Verore’ është keqinterpretuar në mënyrë të paskrupullt nga ata që pak kuptojnë nga arti e kultura e aq më pak nga humanizmi. Dua të them dhe përsëris se arti nuk është vetëm pazar, është diçka më shumë dhe atë shumë më shumë. Të krahasosh të hyrat financiare të këngëtarëve dhe punëtorëve nga fusha e gastronomisë dhe atyre nga prodhimi për shembull është të paktën jo e sinqertë. Diskotekat, lounge baret duhet të hapen urgjentisht ngase janë edhe burim i të ardhurave tona si këngëtarë, por mbi të gjitha janë burim i atyre mijëra punëtorë që kanë mbetur pa të ardhurat e tyre ekzistenciale”, ka shkruar fillimisht Ermal Fejzullahu.
I njëjti më pas e ka vazhduar duke e bërë fare të qartë se muzika e tij nuk është Pazar, por art.
“Obligimi ndaj atyre dhe familjeve të tyre është më i madh se ne. Të mendosh se pjesa dërrmuese e qytetarëve nga Shqipëria dhe Kosova, në këtë kohë pandemie, mezi ia dalin të mbulojnë nevojat e tyre elementare për ekzistencë vërtetë është për keqardhje dhe duhet kërkuar zgjidhje. Ne me artin tonë ekzistojmë falë punës tonë që e pëlqejnë po këta qytetarë të cilët sot janë në hall financiar e jo për fajin e tyre. E ne sot të bëhemi temë me ankesat tona për mungesë pazaresh, nuk do koment. Ne që burim i pazarave tona janë mu ata qytetarë që kjo kohë ua ka rrezikuar ekzistencën. E them, edhe atë me zë të lartë se arti im, kënga ime është më shumë se pazar”, shkruan më tej Ermali në Instagram. /Telegrafi/