Me rastin e ditës së lumturimit të Nënës Terezë, e cila kremtohet më 19 tetor, u zhvilluan shumë aktivitete të veçanta në kryeqytetet shqiptare.
Në Prishtinë, çifti kryeministror së bashku me prezantuesen Albana Osmani hapën fushatën sensibilizuese “Dardani je vesh me diell” në qendër të Prishtinë, ku janë vënë në dispozicion shitjet e bluzave, ku fitimet e arrira do shkojnë për fëmijët në nevojë.
Një fushatë e tillë sensibilizimi u zhvillua edhe në Tiranë, vetëm se kësaj radhe protagonistë të saj ishin kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, prezantuesja e njohur Valbona Selimllari dhe reperi i famshëm Noizy.
Treshja në fjalë në ditën e lumturimit të Nënës Terezë kanë shërbyer drekën në mensën sociale, e cila ndodhet në Kombinat, një nga lagjet më të varfra të Tiranës.
Ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj ai, i cili publikoi disa fotografi në llogarinë zyrtare në Instagram, ku ai së bashku me Noizyn dhe Valbonën shfaqeshin me përparëse, teksa shërbenin ushqimin për njerëzit në nevojë.
“Ditën e Nënë Terezës e përkujtuam me Noizyn, Valbona Selimllarin dhe Johann Sattler duke shërbyer drekën me shumë zemër në mensën sociale, Kombinat” (sic.), ka shkruar në Instagram Veliaj.
Ndryshe, nga fotografitë e publikuara vërehet që edhe të pranishmit kanë qenë të kënaqur nga prania e fytyrave publike në një ditë si ajo e lumturimit të figurës më humaniste shqiptare, Nënë Terezës. /Telegrafi/