Telegrafi

Erëra të forta me shi shkaktojnë dëme në Prishtinë, flet Shpend Ahmeti

Shiu i rrëmbyeshëm i cili ka rënë mbrëmjen e së enjtes ka shkaktuar edhe dëme në rrugët e kryeqytetit.

Sipas fotografive të publikuara shihet se era e fortë ka rrëzuar edhe drunjtë në afërsi të sheshit “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes.

Ahmeti ka njoftuar se në terren janë edhe ekipet për sanim dhe ka lutur qytetarët që për emergjenca të thërrasin Komunën e Prishtinës.

“Kemi dëme në qytet nga erërat e fortë. Lusim qytetarët të kenë kujdes dhe për çdo emergjencë të thërrasin në Komunë në 080012233. Ekipet janë në terren për sanim”, shkruan Ahmeti në Twitter.

Edhe në rrugën “Rexhep Shema”, të Prishtinës erërat e forta kanë shkaktuar dëme nëpër shtëpi.

Madje në disa fotografi dërguar Telegrafit, shihet se ka qenë i nevojshëm edhe intervenimi i një ekipi zjarrfikësish, pasi era e fortë ka dëmtuar një kulm në këtë zonë të qytetit. /Telegrafi/