Ajaxi është befasia më e madhe e këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.
Skuadra holandeze ka arritur që t’i eliminojë dy gjigantë evropian si Real Madridin dhe Juventusin për të arritur në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve.
Në gjysmëfinale gjiganti holandez do të përballet me Tottenham Hotspur dhe për këtë sukses të Ajaxit të gjithë në Holandë janë krenar.
Java e 32-të në Eredivisie nuk do të zhvillohet në vikendin e ardhshëm vetëm e vetëm që Ajaxi të pushojë para ndeshjes së parë gjysmëfinale.
“Ne kemi diskutuar për skenarë të ndryshëm me gjitha klubet. Kemi marrë vendim dhe praktikisht të gjitha klubet janë pajtuar për ta shtyrë javën e 32-të të kampionatit”, deklaroi Eric Gudde, drejtor i federatës holandeze të futbollit.
“Ajo që është më të vërtetë e bukur është se arsyeja ishte e domosdoshme, pasi suksesi i Ajaxit është edhe sukses i futbollit holandez”, përfundoi Gudde.
Por ndryshe nga Eredivisie që i mundësoi shtyrjen e kampionatit Ajaxit, një gjë të tillë nuk do ta bëjë Liga Premier.
Tottenham luan më 27 prill ndaj West Hamit, tri ditë më vonë takohet me Ajaxin në ndeshjen e parë si vendas, ndërsa më 6 maj luan ndaj Bournemouth dhe dy ditë më pas gjysmëfinalen e kthimit ndaj Ajax. /Telegrafi/