Site icon Telegrafi

Erdogan u fut në dhomën e zhveshjes së Turqisë pas eliminimit nga Euro 2024, pati disa fjalë për lojtarët dhe trajnerin Montella

Kombëtarja turke e futbollit ka përfunduar paraqitjen e saj të mrekullueshme në Kampionatin Evropian Euro 2024, gjatë së cilës ka arritur të kalojë në çerekfinale të kësaj gare.

Në këtë fazë Turqia u eliminua nga Holanda e favorizuar me 2:1, ndonëse skuadra e trajnerit Vincenzo Montella në një moment kishte epërsi 1:0.

Pas ndeshjes, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, hyri në dhomën e zhveshjes, i shoqëruar nga ministri i Rinisë dhe Sporteve, Askın Bak, Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Buyukekşi dhe anëtari i Bordit Drejtues të UEFA-s, Servet Yardımcı.

Duke uruar secilin anëtar të ekipit kombëtar me një shtrëngim duarsh, Erdogan tha se përkundër eliminimit ata janë kampionët e Turqisë.

“Urime për të gjithë ju. Edhe pse ne arritëm këtë rezultat sot këtu, ju jeni kampionët tanë. Ne jemi të lumtur me ju”.

“Kjo ka një të ardhme. Tani për tani, unë besoj në këtë. Ju e keni bërë këtë punë me shumë sukses. Ndodhi ajo që ndodhi, ne ishim ndër tetë më të mirët në Evropë”, tha Erdogan.

Lexo po ashtu "Duhet të jemi krenarë, jemi ndër pesë skuadrat më të mira në Evropë" - Montella flet për Turqinë e tij në Euro 2024

Erdogan foli shkurtimisht edhe me trajnerin Montella, i cili tha se është krenar që mund të përfaqësojë një vend të tillë me ekipin.

Kujtojmë se Turqia më parë ka kaluar grupin në të cilin ka garuar me Portugalinë, Gjeorgjinë dhe Çekinë dhe ka eliminuar Austrinë në fazën e 16-të. /Telegrafi/

Exit mobile version