Site icon Telegrafi

Erdogan: Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia

Arkiv

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka ripohuar se shteti turk nuk e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe vazhdon ta konsiderojë atë si paligjshmëri.

“Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së të afërmve tanë tatarë të Krimesë, të cilët janë një nga popujt vendas të Krimesë, është ndër prioritetet tona”, tha ai në një video-mesazh për Samitin e Tretë të Platformës së Krimesë, që po mbahet në Kiev të Ukrainës.

Platforma e Krimesë është një mekanizëm koordinues ndërkombëtar i Ukrainës për të tërhequr më shumë vëmendjen globale ndaj aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia në vitin 2024.

Erdogan tha se fundi i luftës Rusi-Ukrainë dhe rivendosja e paqes dhe stabilitetit në pellgun e Detit të Zi do të sjellë një lehtësim jo vetëm për rajonin, por edhe për të gjithë botën, raporton aa.

https://www.youtube.com/watch?v=qCv5u657PtQ

“Ne gjithashtu mbajmë qëndrimin tonë në favor të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Ne vazhdimisht theksojmë se Krimea është pjesë e Ukrainës në çdo platformë, përfshirë në OKB”, tha presidenti turk.

Turqia beson se lufta, e cila filloi rreth 18 muaj më parë, duhet të përfundojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Ai deklaroi se Turqia gjithashtu vazhdon përpjekjet për të rigjallëruar Iniciativën e Drithit të Detit të Zi dhe se gjatë këtij procesi Ankaraja beson se është thelbësore të shmangen hapat që do të përshkallëzojnë më tej tensionet në rajon.

Lexo po ashtu "Synimi i radhës i Putinit mund të jetë Ballkani" - sinjalizuesi tregon se si Kremlini rekruton njerëz nga Serbia, Bullgaria, Maqedonia dhe Bosnja

Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në iniciativë më 17 korrik të këtij viti. Marrëveshja u nënshkrua në korrik të vitit 2022 pas ndërmjetësimit të OKB-së dhe Turqisë në një përpjekje për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi që ishin ndërprerë pasi Rusia filloi luftën e saj në muajin shkurt të atij viti.

Erdogan gjithashtu pret që të lirohet Nariman Dzhelyal-it, nënkryetari i Mexhlisit të Tatarëve të Krimesë dhe tatarëve të tjerë të Krimesë që u arrestuan në vitin 2021 nga Rusia. /Telegrafi/

Exit mobile version