Site icon Telegrafi

Erdogan thotë se “sinjalet nga SHBA dhe Kanadaja mund të ndihmojnë rreth çështjes së anëtarësimit të Suedisë në NATO”

Ratifikimi i anëtarësimit të Suedisë në NATO nga Turqia varet nga miratimi i kërkesës së Turqisë nga Kongresi amerikan për blerjen e aeroplanëve luftarakë F-16.

Kështu, siç raportojnë mediat e huaja, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, duke u bërë thirrje të dy legjislaturave të veprojnë “njëkohësisht”.

Në komentet e raportuara të martën, Erdogan ka shtuar se Kanadaja dhe aleatët e tjerë të NATO-s duhet të heqin embargot e armëve të vendosura ndaj Turqisë.

“Zhvillimet pozitive nga SHBA rreth çështjes së aeroplanëve F-16 dhe mbajtja e premtimeve nga Kanadaja do të çojnë përpara pikëpamjen tonë (rreth anëtarësimit të Suedisë)”, citohet të ketë thënë Erdogan.

Ai i bëri këto komente të hënën në mbrëmje teksa po kthehej nga një vizitë në Hungari.

Hungaria dhe Turqia janë dy vendet e vetme, anëtarë të NATO-s, që nuk kanë aprovuar zyrtarisht aplikimin e Suedisë për anëtarësim në aleancën ushtarake transatlantike.

Ai u tha gazetarëve se çështja e Suedisë është ngritur edhe nga ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan gjatë diskutimeve ditëve të fundit me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken. /Telegrafi/

Exit mobile version