Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dënoi Kongresin e Shteteve të Bashkuara për duartrokitjen e fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin ai e përshkroi si “plot delirium”.
“E gjithë bota shikoi dhe pa se si një vrasës gjenocidal u duartrokit në Kongresin amerikan. Mendoni për ata që vranë pothuajse 40 mijë fëmijë, gra dhe të moshuar. Dhoma e Përfaqësuesve i duartroket”, tha Erdogan.
Ai shtoi se bota po përballet me një humbje të arsyes pasi Kongresi pret një “kasap” që ka gjakun e 150 mijë banorëve të Gazës në duart e tij.
Izraeli është akuzuar për gjenocid përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ).
Kjo e fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë ofensivën ushtarake në Rafah në Gazën jugore, ku më parë kishin kërkuar strehim më shumë se një milion palestinezë.
Ndryshe, Netanyahu gjatë qëndrimit në SHBA ka takuar presidentin aktual, Joe Biden, ish-presidentin, Donald Trump si dhe kandidaten demokrate për president, Kamala Harris. /Telegrafi/