Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar Holandën se “do ta paguaj çmimin” për faktin që lëndoi marrëdhëniet e dy shteteve duke mos lejuar dy ministra turq të mbajnë tubime me migrantët turq.
“Ne do t’ua mësojmë atyre diplomacinë ndërkombëtare”, tha Erdogan, shkruan BBC, njofton Klan Kosova.
Dy ministrat nuk u lejuan t’i adresohen turqve në Rotterdam të shtunën, dhe njëri prej tyre madje u bart deri tek kufiri me Gjermaninë.
Qeveria holandeze tha se tubime të tilla do të ngrisnin tensione disa ditë para zgjedhjeve nacionale në Holandë.
Ministrat kishin shkuar në Holandë që t’i bindnin bashkatdhetarët të votojnë në referendumin për rritjen e fuqisë të pozitës së Presidentit.
Fatma Betul Sayan Kaya, ministrja e Familjes, kishte shkuar në Holandë përmes rrugëve tokësore, por i ishte ndaluar të futje në konsullatë në Rotterdam dhe ishte kthyer prapa në kufirin me Gjermaninë.
Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu, provoi të futet nga ajri, por edhe atij iu ndalua hyrja.
Më pas shpërthyen protestat e migrantëve turq, dhe policia u desh që me topa uji të shpërndajë turmën prej së paku 1000 vetash.