Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha sot se nuk është në favor të anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke theksuar se Turqia mund të përdorë veton si anëtare e aleancës ushtarake perëndimore.
“Ne po ndjekim nga afër zhvillimet në lidhje me Suedinë dhe Finlandën, por nuk kemi një opinion pozitiv”, deklaroi ai.
Udhëheqësi turk arsyetoi kundërshtimin duke cituar mbështetjen e supozuar të Suedisë dhe vendeve të tjera skandinave për militantët kurdë, të cilat shteti turk i konsideron terroristë, raporton reuters.
Megjithatë, ai nuk tha drejtpërdrejt se do të bllokonte përpjekjet për anëtarësim të dyja vendeve nordike, por NATO i merr të gjitha vendimet e saj me konsensus, që do të thotë se secili nga 30 vendet anëtare mund të vendos veto në momentin që votohet për anëtarësim.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Finlanda dhe Suedia, nëse aplikojnë zyrtarisht për t’u anëtarësuar në organizatën më të madhe të sigurisë në botë, do të priten krahë hapur.
Procedura e pranimit mund të përfundojë brenda “disa javësh”, thanë disa zyrtarë të NATO-s, megjithëse vendeve anëtare mund t’u duhen rreth gjashtë muaj për të ratifikuar protokollin e pranimit. /Telegrafi/