Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se krijimi i një shteti palestinez me integritet territorial nuk mund të vonohet më.
Erdogan, në kuadër të vizitës së tij në Indonezi mbajti një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij Prabowo Subianto.
Presidenti turk në fjalimin e tij u ndal edhe në çështjen palestineze.
“Krijimi i një shteti sovran palestinez me integritet territorial bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet nuk mund të vonohet më”, citohet të ketë thënë ai.
“Shtetet tjera në rajon nuk mund të gjejnë stabilitet derisa Gaza dhe palestinezët të gjejnë paqe”, shtoi presidenti turk, shkruan AA.
Ai gjithashtu vlerësoi qëndrimin e Indonezisë për çështjen palestineze.
“Do të vazhdojmë të punojmë me Indonezinë për rindërtimin e Gazës”, tha Erdogan.
Presidenti turk gjithashtu foli edhe për dëmin që Izraeli ka shkaktuar në sulmin e tij ndaj Palestinës.
“Dëmi total i shkaktuar nga sulmet 15 mujore të Izraelit po i afrohet 100 miliardë dollarëve. Parimi në ligj është që dëmi duhet të mblidhet nga shkaktari”, u shpreh ai.
Izraeli ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.
Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë nga lufta gjenocidale e Izraelit që nga tetori 2023 ka shkuar në mbi 48.000.
Më 15 janar, Katari një nga vendet ndërmjetësuese, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi arritën marrëveshje për një armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve në Gaza.
Marrëveshja hyri në fuqi më 19 janar. Në 42 ditët e para të marrëveshjes së armëpushimit, që përbëhet nga tre faza, do të lirohen 33 pengje izraelite dhe mbi 1.900 të burgosur palestinezë.