Site icon Telegrafi

Erdogan: Gaza është tokë e popullit palestinez, Amerika duhet ta pranojë këtë fakt

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Rripi i Gazës është tokë palestineze dhe i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që ta pranojnë këtë fakt, raporton Anadolu.

Duke folur me gazetarët në avionin presidencial gjatë kthimit nga kryeqyteti saudit Riad, ku mori pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të vendeve arabe dhe islame, Erdogan tha se e ardhmja e botës dhe jetët e njerëzve nuk mund të lihen në mëshirën e pesë vendeve me të drejtë vetoje në OKB.

“Gaza, para së gjithash, është tokë e popullit palestinez. Amerika duhet ta pranojë këtë”, tha Erdogan.

“Nëse (presidenti amerikan Joe) Biden ka një qasje që thotë ‘Gaza nuk është tokë e popullit palestinez, por tokë e këtyre kolonëve pushtues dhe e Izraelit’, atëherë nuk është e mundur që të biem dakord”, shtoi ai.

Po ashtu, ai tha se Turqia është “vend kyç” për zgjidhjen e krizave në rajon.

“Është i vetmi vend që mund të takohet me të gjitha vendet e gjeografisë sonë dhe të mbledhë palët konfliktuale dhe ndërluftuese në të njëjtën tryezë”, theksoi ai.

Erdogan shtoi se do të vazhdojë të bisedojë me secilin aktor që dëshiron të kontaktojë.

“Përpjekja jonë është të mbrojmë jetën njerëzore, të sigurojmë paqen, t’i japim fund luftërave dhe të fshijmë lotët e të pafajshmëve”, vuri në dukje ai, duke shtuar se pas samitit të Riadit, dëshiron të fillojë një diplomaci intensive telefonike për situatën në Palestinë.

Exit mobile version