Telegrafi

Erdogan i dorëzon parlamentit protokollin për pranimin e Suedisë në NATO

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka dorëzuar parlamentit të Turqisë një protokoll për të ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO, tha zyra e tij të hënën.

Erdogan kishte vonuar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë, duke akuzuar Stokholmin se ishte shumë i butë ndaj militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që ai i konsideron si kërcënime të sigurisë. Turqia gjithashtu u zemërua nga një seri protestash për djegien e Kuranit në Suedi, transmeton Telegrafi.

Të 31 aleatët e NATO-s duhet të mbështesin anëtarësimin e Suedisë. Turqia dhe Hungaria janë dy aleatët e vetëm që ende nuk e kanë ratifikuar atë.

Një deklaratë e shkurtër nga drejtoria e komunikimit presidencial tha se Erdogan kishte nënshkruar protokollin për pranimin e Suedisë në NATO, i cili më pas iu dorëzua Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë. /Telegrafi/