Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 16 vjetorin e pavarësisë ka pranuar telegram urimi nga homologu i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Në letrën e tij, Erdogan ka shprehur besim të plotë se marrëdhëniet e shumanshme miqësore mes Turqisë dhe Kosovës, do të vazhdojnë të zhvillohen.
“Kam besim të plotë se marrëdhëniet e shumanshme miqësore mes Turqisë dhe Kosovës, të cilat e marrin fuqinë e tyre nga lidhjet historike, ekonomike, humanitare dhe kulturore, do të vazhdojnë të zhvillohen”, ka shkruar presidenti turk.
Ai tutje është shprehur se marrja e Komandës së KFOR–it këtë vit është tregues konkret i rëndësisë që i Turqia i kushton paqes dhe stabilitetit si në Kosovë ashtu edhe në rajon.
“Dëshiroj gjithashtu të shpreh kënaqësinë që Shkëlqesia Juaj do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë që do të mbahet në datat 1-3 mars 2024. Me këtë rast ritheksoj urimet e mia më të mira për shëndetin dhe lumturinë e Shkëlqesisë Suaj dhe mirëqenien e begatinë e popullit mik e vëllazëror të Kosovës”, thuhet në letër. /Telegrafi/