Telegrafi

“Erdha për një vit, do të qëndroj katër” – Thiago Silva nënshkruan kontratën e re me Chelsean

Thiago Silva ka nënshkruar një kontratë të re me Chelsean, e cila zgjat deri në vitin 2024, pasi të dyja palët arritën marrëveshje.

Blutë kanë konfirmuar se braziliani veteran ka zgjatur kontratën e tij aktuale dhe do të qëndrojë në “Stamford Bridge” deri në vitin 2024 edhe pse ai ka mbushur 38 vjet në shtator.

Edhe një vit tjetër në Londrën Perëndimore, do ta çojë Silvan në vitin e katërt me Chelsean, dhe deri në fund të edicionit 2023-2024, braziliani do të jetë afër ditëlindjes së tij të 40-të.

Që nga ardhja e tij në Angli në vitin 2020, ai ishte padyshim interpretuesi më i qëndrueshëm në mbrojtje me trajnerë si Thomas Tuchel dhe Graham Potter.

“Sinqerisht jam shumë i lumtur që do të vazhdoj karrierën time me Blutë. Kur firmosa kontratën time të parë këtu, ishte për të bërë vetëm një vit. Tani do të jenë katërt! Nuk mund ta imagjinoja këtë, por në të vërtetë është një moment shumë i veçantë për mua që të nënshkruaj dhe të qëndroj në Chelsea”, ka thënë ai për faqen zyrtare të klubit.

Ai shihet edhe si mësues për dy lojtarët e rinj Benoit Badiashile dhe Trevoh Chalobah.

Mbrojtësi do të kthehet në aksion për Blutë në udhëtim te West Ham të shtunën. /Telegrafi/