Telegrafi

Epoka e Panuccit dhe problemet e vazhdueshme me lojtarët e Kombëtares

(Fotomontazh: Getty Images/Guliver)

Më 19 korrik të viti 2017, në ambientet e Federatës Shqiptare të futbollit, u prezantua si trajner i ri i Kombëtares kuqezi, Christian Panucci, një emër që ka lënë gjurmë në skuadra të rëndësishme evropiane kur bëhej fjalë për fushën, por pa përvojën e duhur për të drejtuar nga banka.

Me mësime të marra nga një si Fabio Capello, Panucci arriti rezultatet që tanimë dihen, por ajo që ndoshta ndikoi më shumë për to pa dyshim mund të ketë qenë klima rreth ambientit të Kombëtares.

SuperSport ka bërë një përmbledhje të disa prej ndodhive nën drejtimin e tij:

Përjashtimi i Sokol Cikalleshit: Grumbullimi i parë i tij nisi me një “konflikt” me Sokol Cikalleshin. Për shkak se sulmuesi duhej të firmoste transferimin e tij, kërkonte kohën e mjaftueshme e për punë orësh do t’i bashkohej grupit, që për herë të parë drejtohej nga trajneri italian. Ky i fundit nuk u mendua dy herë, duke e përjashtuar, në mënyrë që t’u jepte ndoshta të gjithëve mesazhin që me Kombëtaren nuk bëhet shaka.

Çështja “Taulant Xhaka”: Ka kërkuar falje disa herë, për këtë arsye është rikthyer. Kështu është shprehur Panucci kur është pyetur për mesfushorin. Krisje tjetër? Nuk është e vështirë t’ia numërosh ish-trajnerit.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja e Shqipërisë

Ansi Agollit: Një nga më të mirët në pozicionin e tij, disa herë iu komunikua në sy që duhej sakrifikuar, në mënyrë që ekipi të gjente dikë tjetër në vendin e tij për shkak të viteve në shpatullat e tij.

Ermir Lenjani: “Nuk luaj për Kombëtaren për sa kohë ajo drejtohet nga Panucci”, u shpreh qartë në postimin e tij në Instagram.

Thomas Strakosha: U la jashtë Kombëtares sepse nuk mundi te kapte avionin për t’u nisur drejt Shqipërisë. Lista e konflikteve, problemeve dhe marrëdhënieve të ftohta e Panuccit është e gjatë.

Thomas Strakosha (Foto: Claudio Villa/Getty Images/Guliver)

Kapiteni: Shiriti i kapitenit ka bërë shëtitje krah me krah, konferenca me tone të larta, qetësi e munguar dhe stabilitet gjithashtu i munguar e të mos flasim për rezultate. Çelësi i suksesit të kuqezinjve ka qenë padyshim harmonia dhe bashkimi i grupit, gjë që nga vera e viti 2017 e deri tani, për fatin e keq është harruar.

Panucci largohet si vendim i prerë i Federatës e në ndarje të tilla, pavarësisht së shkuarës problematike, rezultateve, imazhit, thyerjes se gjithçkaje, që ndoshta u deshën shumë vite për ta ndërtuar, sot ish-trajnerit i duhet thënë faleminderit, pasi me shumë mundësi çdokush që do të drejtojë Shqipërinë në vijim e ka të qartë se çfarë nuk duhet të bëjë. Koha do të tregojë nëse problemi ishte vërtet ai.