Site icon Telegrafi

Enver Petrovci nderohet me çmimin për ‘Vepër Jetësore’

Foto: Facebook

Aktori i njohur shqiptar, Enver Petrovci, sot (e premte) është nderuar me çmimin për “Vepër Jetësore” gjatë ceremonisë vjetore të ndarjes së çmimeve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kjo është bërë e ditur sipas një njoftimi të ndarë nga faqja zyrtare e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Ky është çmimi i parë që ma jep juria kosovare”, tha Petrovci me ta pranuar çmimin. Petrovci tutje ka thënë se ky është çmimi më i madh që ka marrë gjatë karrierës së tij. Por, ai ka kujtuar një moment shumë të veçantë kur ka ecur nëpër sheshin e Tiranës me buqeta lulesh në duar.

“Kam marrë shumë çmime artistike, por çmimin më të madh të cilin unë e ndiej është kur shkova në pazar në Tiranë dhe një vajzë e re 12-vjeçare luleshitëse më tha: “Prindërit e mi të adhurojnë dhe dua të ta fal një buqetë me lule.” Shitësi që ishte afër e dëgjoi dhe ma dha edhe ai një buqetë dhe më tha: Edhe unë po jua dhuroj një dhe pse nuk ju njoha. Dhe hera e dytë është kjo”, ka thënë Petrovci.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po ashtu i ka ndarë Blerta Nezirajt çmimin për regjinë më të mirë në fushën e teatrit për vitin 2020, ndërsa Armend Smajlit çmimin për aktorin e vitit.

“Jemi të lumtur të ndajmë me ju lajmin e mirë se sot Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, i ka ndarë Blerta Nezirajt çmimin për regjinë më të mirë në fushën e teatrit për vitin 2020, ndërsa Armend Smajlit çmimin për aktorin e vitit. Blertës çmimi i është ndarë për regjinë e shfaqjes “Kthimi i Karl Majit” ndërsa Armendit për rolin e Kara Ben Nemsit në po të njëjtën shfaqje”.

“Shfaqja “Kthimi Karl i Karl Majit” nga Jeton Neziraj, u dha premierë vitin e kaluar dhe është bashkëproduksion i Qendrës Multimedia, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Volksbühne në Berlin. Falenderojmë publikun dhe gjithë mbështetësit për vlerësimin e punës sonë”, thuhet në njoftimin e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version