Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherit zëvendëskryetar i PDK-së, e ka komentuar sondazhin e sotëm që e ka publikuar KDI-ja, e ku kjo parti del të jetë partia e dytë pas LDK-së, fituese në zgjedhje të reja.
Ai e ka konsideruar selektiv, matjet e KDI-së, duke quajtur matje jo e saktë e opinionit.
“E lexova me vëmendje sondazhin e KDI-së i cili është selektiv në qasje, meqë kanë përzgjedhë si mostër komunat ku qeverisë LDK-ja. Ky është më shumë “news frame” se sa matje e saktë e disponimit publik. Matjet kredibile të opinionit publik në Kosovë flasin që PDK është bindshëm partia e parë politike në vend”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Përmes një konference për media, përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kanë bërë prezantimin e gjetjeve nga hulumtimi për matjen e opinionit publik në Kosovë lidhur me gjendjen aktuale politike, kënaqsh-mërinë me punën e institucioneve publike, si dhe preferencat politike të qytetarëve për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas KDI-së, në rast të zgjedhjeve LDK-ja do të merrte 23.8 për qind, e ndjekur nga PDK-ja me 18.4 për qind, VV-ja me 17.6 për qind dhe AAK-ja me 8.8 për qind. 4.1 për qind të të anketuarve kanë deklaruar se do ta votonin Listën Serbe, përcjell Telegrafi.