Nëse deri më 11 mars të vitit të ardhshëm Kosova nuk do të ketë një president të ri, vendi do të shkojë në zgjedhje. Kështu thuhet në Kushtetutën e Kosovës, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Hasani ka treguar procedurat që duhet ndjekur nëse nuk zgjidhet presidenti i ri para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentit Hashim Thaçi, mandati i përfundon në prillin e vitit 2021.
Ndërkohë nëse para kësaj Thaçi jep dorëheqje, ushtrues i detyrës së presidentit bëhet kryetari i Kuvendit. Në këtë pozitë, në këtë rast, Vjosa Osmani, do të mund të ishte më së shumti për gjashtë muaj.
“Gjashtë muaj. Brenda atij 6 mujori duhet me u zgjedh kryetari i ri. Nëse dështon shkohet në zgjedhje’, shpjegoi Hasani në t7.
Por nëse shkohet në zgjedhje a mbetet Osmani ushtruese e detyrës së presidentit?
“E aty duhet prapë në Gjykatë me pyet…për shembull me kërku interpretim. Kushtetuta thotë gjashtë muaj. Nëse për 60 ditë dështon të zgjidhet presidenti shkohet në zgjedhje”.