Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, më 1 korrik do të përballet me akuzat për falsifikim të dokumentit zyrtar, si dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte në krye të Kushtetueses.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim që të fillojë gjykimi ndaj tij.
Datën e seancës “Koha Ditore” e ka konfirmuar nga avokati Bajram Tmava, i cili mbron të akuzuarin.
“I kemi pranuar ftesat. Gjykata ka caktuar datën 1 korrik”, ka thënë ai.
Këtë të hënë gazeta ka shkruar se gjykata tashmë ka proceduar rastin, pas vendimit të Gjykatës Supreme dhe se do t`ua dërgojë ftesat palëve brenda javës.
Kryetari i gjykatës së shkallës së parë, Hamdi Ibrahimi, ka thënë se kanë vendosur për procedimin e rastit, në të cilin do të procedohet çështja e imunitetit funksional ndaj Hasanit.