Telegrafi

Enver Hasani e Nait Hasani përmenden në gjyqin për korrupsion

Elsadat Musliji erdhi nga Zvicra për të dhënë dëshminë e tij në gjykimin ku zyrtari i Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajrami, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij Adriani për mashtrim. Sipas aktakuzës, Zahir Bajrami përmes djalit të tij, më 9 shkurt të vitit 2017 i kishte marrë 10 mijë euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, duke i premtuar në këmbim ndikimin në Gjykatën e Apelit që Muslijit t’i hiqet dënimi me burgim.

Në aktakuzë thuhet se Adrian Bajrami në fillim ia mori Muslijit 10 mijë euro dhe pastaj ia kërkoi edhe 10 mijë euro tjera për dënimin prej tre vjetësh burgim që i ishte shqiptuar nga gjykata.

Se i dha 10 mijë euro dhe iu kërkuan edhe 10 mijë euro tjera në gjykatë tregoi edhe Elsadat Musliji.

Prokurori Kujtim Munishi e pyeti Muslijin në lidhje me “një njeri të madh” që të akuzuarit ia kishin përmendur se do të ndikonte në lëndën e tij.

Musliji tha se bëhej fjalë jo për një, po për dy persona.

“Baci Zahir [Bajrami] më ka përmendur Enver Hasanin, ndërsa djali i tij më ka thënë se ka qenë Nait Hasani”, tha dëshmitari dhe i dëmtuari Musliji. /kallxo.com/