Site icon Telegrafi

Enrique: Do të jetë një festë, pas 18 viteve luajmë në Kataluni

Kombëtarja e Spanjës dhe ajo e Shqipërisë do të përballen në një ndeshje miqësore të shtunën mbrëma.

Do të jetë një sfidë shumë interesante, pasi Kombëtarja spanjolle rikthehet për të luajtur në Kataluni pas një periudhe shumë të gjatë.

Para kësaj ndeshje në konferencë për shtyp ka dalë përzgjedhësi spanjoll Luis Enrique ku ka folur për këtë sfidë, duke thënë se do të jetë një festë.

“Mendoj se stadiumi nesër do të jetë i mbushur në kapacitetin e tij maksimal, herën e fundit që unë kam luajtur në Barcelona ka qenë për llogari të një finale olimpike dhe stadiumi ka qenë plot. Ka qenë një nga ndeshjet e mia më të mira dhe shpresoj që edhe nesër ta kthejmë në një festë”, tha Enrique.

Tutje trajneri spanjoll tha se në Botëror Kombëtarja e tij do t’i shkaktojë shumë probleme kundërshtarëve.

“Jemi para Kupës së Botës që është një garë shumë komplekse, por me personalitetin që kanë këta lojtarë ne do të garojmë dhe do t’i hapim punë secilit kundërshtar”.

Lexo po ashtu Edoardo Reja flet para përballjes me Spanjën: Janë të rëndësishme si loja e bukur, ashtu edhe rezultati

“Do të jetë një festë në Kataluni dhe shpresoj të jemi në lartësinë e duhur. 18 vite pa luajtur në Kataluni është një kohë e gjatë. Të rinjtë? Unë bëj listën dhe nuk mendoj për moshën, mendoj se kemi një grup me lojtarë me eksperiencë dhe me ata të rinj”, u shpreh Luis Enrique. /Telegrafi/

Exit mobile version