Pas suksesit të madh me këngën “Asnjo si unë”, këngëtarja Enkela Haxhiu vjen me një tjetër projekt muzikor të veçantë, të titulluar “LULE”.
Në një prononcim për mediat, Enkela ka shpjeguar se kjo këngë është një baladë e ndjerë, e cila sjell një atmosferë më të thellë dhe reflektuese krahasuar me projektin e saj të mëparshëm. Nëse “Asnjo si unë” kishte në fokus fuqizimin dhe vetëbesimin, “LULE” eksploron ndjenja më të buta dhe emocione më intime.
“Gjatë punës për këtë projekt, kam eksperimentuar me tinguj dhe detaje që e dallojnë nga ajo që kam bërë më parë. Çdo notë dhe çdo fjalë është vendosur me kujdes për të sjellë një atmosferë të veçantë dhe për të prekur ata që e dëgjojnë,” është shprehur këngëtarja.
Ajo e përshkruan “LULE” si një udhëtim emocional, i cili synon të krijojë një lidhje të sinqertë me publikun, duke sjellë një ndjenjë të vërtetë për secilin që e dëgjon.
Ky projekt është një tjetër dëshmi e talentit dhe përkushtimit të Enkela Haxhiut, e cila vazhdon të sjellë muzikë me mesazhe të fuqishme dhe ndjenja të thella për adhuruesit e saj. /Telegrafi/