Eliot Engel, miku i madh i shqiptarëve dhe përfaqësuesi i demokratëve në Kongresin amerikan, ka folur përsëri për arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë dhe e ka quajtur këtë veprim si totalisht të paarsyeshëm.
“Serbia ka manipuluar me Interpol-in duke provuar të ketë një gjykim të tretë për Ramush Haradinajn, në esencë të njëjtën çështje. Kjo për mua është e paarsyeshme dhe tregon sjelljen e keqe nga ana e Qeverisë së Serbisë”, ka thënë Engel në fjalimin e tij, njofton Klan Kosova.
Pos për çështjen e Haradinajt, amerikani ka folur edhe për provokime të tjera që Serbia i ka bërë kohëve të fundit Kosovës.
“Serbia vazhdimisht ka provuar ta bëjë sa më të vështirë për Kosovën rrugën drejt Bashkimit Evropian. Serbia së fundmi dërgoi në veriun e Kosovës një tren propagandistik që kishte të shkruar në 21 gjuhë fjalinë ‘Kosova është Serbi’. Po ashtu inicioi ndërtimin e një muri në Mitrovicë, tani muri është rrëzuar, por duke lënë pasojat pas”, ka thënë pos tjerash Engel.
Ai ka përmendur disa nga sukseset e Kosovës, ndërsa ka thënë se megjithatë vendi i ri evropian nuk është perfekt, “por vend perfekt nuk është as Amerika”, shtoi Engel.