Stomatologu Getoar Hoxha është shpallur studenti më i mirë për vitin 2024 nga Global Institute For Dental Education në Implantologji dhe Rigjenerim kockor.
Hoxha në një postim në Facebook njofton se me përfundimin e Masterit klinik në Implantologji dhe Rigjenerim kockor në Los Angeles, California, fitoi edhe vendin e parë si studenti më i mirë në botë për vitin 2024 në këtë program nga Global Institute For Dental Education.
“Sot përfundova ciklin e Masterit klinik në Implantologji dhe Rigjenerim kockor në Los Angeles, California dhe fitova vendin e I-rë si studenti më i mirë në botë për vitin 2024 në këtë program.
Jam shumë i lumtur që kam pasur mundësinë të ndaj këtë rrugëtim së bashku me kolegë të talentuar dhe punëtore nga Australia, Kina, Evropa dhe Amerika. Ëndrrat bëhen realitet nëse punon për t’i realizuar ato. Pafundësisht falënderues për secilën mundësi!!..”, shkruan Hoxha, raporton Telegrafi.
Ndërkaq, doktor Sascha Jovanoviq me rastin e dhënies së çmimit stomatologut Hoxha tha se “e di që keni punuar shumë për këtë. Krenar që vjen nga një vend i bukur, i vogël… e di që keni shumë plane për të ardhmen…”.
Getoar Hoxha është nga Peja, ndërsa përfundoi studimet themelore në Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Mjekësisë, dega Stomatologji në vitin 2017. Që atëherë ai ka punuar si stomatolog në qytetin e Pejës.
Në vitin 2021 së bashku me doktor Besart Kondirolli hapën kliniken dentare në Prishtinë dhe tashmë ai operon në të dy klinikat, në Pejë dhe Prishtinë.
Hoxha është në përfundim edhe të specializimit të Kirurgjisë Orale në QKUSK (Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës).
Ndërkaq, gIDE (Global Institute for Dental Education) është institut që është themeluar 20 vjet më parë në Los Angeles, California nga Dr.Sascha Jovanovic.
gIDE institute është i akredituar nga ADA – CERP (American Dental Association Continuing Education Program Recognition).
GIDE ofron programe te Masterit të përpiluara nga profesor eminent të fushës së stomatologjisë, në veçanti të fushës së Implantologjisë, Paradonotologjisë dhe Kirurgjisë orale. /Telegrafi/